Sport Evra dhe Seedorf në një zë: Mos bëni shaka, nuk krahasohen Mbappé...

Evra dhe Seedorf në një zë: Mos bëni shaka, nuk krahasohen Mbappé dhe Leao. Njëri është “vrasës”, tjetri argëtohet…

Mes Kylian Mbappe dhe Rafael Leao ekziston diferencë evidente në cilësi futbollistike. Ky është mendimi, pas PSG-Milan 3-0, i Patrice Evra dhe Clarence Seedorf.

Ish-mbrojtësi dhe ish-mesfushori kanë komentuar performancën e francezit dhe portugezit, e cila anoi dukshëm në favor të parizienit. Pra, nën lenten e tyre ishte performanca e errët e Rafa krahasuar me bëmat e Mbappé.

“Është e pamundur t’i krahasosh, mos bëni shaka, – tha Evra. – Njëri është vrasës para portës kundërshtare, nga ana tjetër është një lojtar i mirë, që argëtohet, por nuk është këtu për të fituar. Më vjen keq të kritikoj Rafa sepse është dikush që të bën ta duash futbollin, megjithatë…”

“Së pari, le të mos i vendosim në të njëjtin nivel, nuk ka krahasime mes tyre për momentin, – deklaroi Seedorf. – Mbappé ka vite që i bën gjërat më së miri vazhdimisht. Leao ka bërë gjëra të mira, por i mungon përgatitja e duhur në disa situata për t’u bërë i rrezikshëm. Nuk ka asnjë keqdashje në këtë ‘lexim’, por kritika është konstruktive.

Kur të vijnë topa të caktuar, duhet të jesh në gjendje të gjuash i pari dhe Mbappè është tashmë gati atje, ndërsa Leao nuk është i pozicionuar, duhet të koordinohet në arrati. Këto janë gjëra të vogla që do të përmirësohen me kalimin e kohës, por ne nuk mund të flasim gjithmonë vetëm gjëra të mira. Leao duhet t’i përcaktojë ndeshjet,  mund dhe duhet të bëjë shumë më tepër, veçanërisht në pozicionimin pa top”.

Seedorf foli gjithashtu për rëndësinë e numrit 10 te kuqezinjtë, si kudo: “Rafa donte të merrte përgjegjësinë, zgjodhi një numër të rëndësishëm në fanellë dhe e di që do të vijnë kritika, por do të jenë konstruktive. Shpresoj që t’i marrë kritikat në mënyrën e duhur”.

Për të mbyllur rrethin e opinioneve të dhëna në lidhje me mbrëmjen e Leaos në Paris, ja mendimet e Fabio Cannavaro: “Shumë përgjegjësi mbi të? Ai luan për Milanin, luan në Ligën e Kampionëve, mendoj se është normale që të fillojë të mësohet nga këto. Pritet shumë, klubi dhe tifozët besojnë në të. Ai ka gjithçka për të bërë mirë, duhet të japë më shumë”.