Politika Berisha: Kush janë dy pengjet që i shërbyen Ramës për vulën e...

Berisha: Kush janë dy pengjet që i shërbyen Ramës për vulën e PD, sot ndahemi përfundimisht prej tyre

Për vendimin e Gjykatës së Apelit që riktheu çështjen për gjykim nga e para sa i përket vulës së Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzon Edi Ramën.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha tha se Kryeministrit Rama i kanë shërbyer dy persona për këtë vendim.

Partia Demokratike, tha Berisha, duhet të mbajë tashmë një qëndrim të qartë ndaj këtyre dy personave.

Sipas kryedemokratit, këta dy persona, të cilët nuk i përmendi me emra, por që iu referua Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, janë përdorur si pengje nga Kryeministri Edi Rama.

“Sot, PD pas vendimit antikushtetues të Edi Ramës ndodhet para një përgjegjësie të madhe për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij qëndrimit të Edi Ramës. Por sot duhet të jemi të hapur. Në vendimin e tij Edi Rama u shërbye nga dy pengje, por dy persona të cilët luajtën rolin më të ulët, kryen veprimet, u përdorën pëtr të kryer veprimet më antikushtetuese.

Ata janë kryekëput vasalë të Edi Ramës. Ata për interesa të tyre dhe si peng të tij i lejuan vetes të bëhen vegla kundër pluralizimit politik në Shqipëri. Ata i lejuan vetes të bëhen vegla për vendime që rrallë mund të gjendet ndonjë autokrat që t’i ketë marrë në këtë mënyrë. Ata u bënë në një kohë kur Edi Rama është sot kufomë politike, kur nuk ka shpëtim, Edi Ramën e pret fati i McGonigal, aq të detyruar ishin ndaj tij saqë në një rol të shpifur u bënë instrumente të atij vendimi këta dy persona nuk kanë dhe nuk mund të kenë më asnjë lidhje me PD. Këta janë një histori turpi që tejkaloi në këto 30 vite çdo histori të turpshme në politikën shqiptare.

Ndaj dhe PD ndahet në mënyrën më përfundimtare me këta bashkëpunëtorë në krimin më të rëndë antikushtetues të Edi Ramës. I shfrytëzoi Edi Rama për vendimin më armiqësor. Në këtë kontekst, Këshilli Kombëtar duhet të përcaktojë sonte qëndrimin përfundimtar ndaj tyre. Sot ka vetëm një PD, dhe ajo është partia e anëtarësisë së saj. Gabojnë shumë rëndë ata të cilët mendojnë se me vendime antikushtetuese duke marrë vulën do mund të mposhtin këtë forcë politike, kurrë jo”, tha Berisha.

“Në një vit e gjysëm u përballëm me narkoshtetin dhe mafian e Xhorxh Sorosit”

 

Berisha tha gjithashtu se opozita që prej më shumë se një viti po përballet me narkoshtetin dhe mafien ndërkombëtare të cilën ia atribuon Xhorxh Sorosit.

Berisha tha se ish-zyrtari i lartë i FBI McGonigal dhe miliarderi Xhorxh Soros ishin angazhuar për të shkatërruar opozitën shqiptare.

Por, sipas Berishës, nuk ia arritën këtij qëllimi.

“Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të PD, që ndiqni sonte me interes të veçantë këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar e thirrur kjo për situatën e krijuar pas vendimit të Edi Ramës, si armik i egër i pluralizmit politik, si hakmarrës primitiv ndaj partisë që përmbysi pushtetin e etërve të tij, si hakmarrës primitiv ndaj kësaj force politike që në këtë periudhë, rreth 1 vit e gjysëm ja doli të rithemelojë, rikrijojë opozitën e vërtetë në Shqipëri.

Ia doli të kalojë një proces më të veçantin që mund të ketë kaluar ndonjëherë një forcë politike, një proces në të cilin të gjithë potencialin e narkoshtetit, institucionet e tij, por i gjithë potenciali i mafias më të fuqishme botërore asaj të Xhorxh Sorosi dhe del tani McGonigal u mobilizuan që këtë forcë politike ta shndërronin në një pseudo opozitë, apo në një aleate të Edi Ramës për të çelikosur pushtetin e tij të bazuar mbi drogën, krimin, dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Nga Shtatori 2021 deri sot, PD kaloi në një proces të vështirë, por anëtarët, simpatizantët patën si yll rrëfimi, frymëzim, idealet e tyre demokratike, idealet e tyre të lirisë dhe në një përpjekje të pashembullt në historinë e saj arritën të zgjedhin me votën e tyre e gjithë drejtuesit e tyre dhe kandidatët për qeveritarë vendorë. Arritën të organizohen në kushte të vështira si një opozitë e vërtetë, si një opozitë e cila bën gjithçka për të nxjerrë në shesh të vërtetat e kësaj qeverisje antishqiptare”.

Sipas Berishës, demokratët ia dolën që të rezistojnë, duke shtuar se vetëm në Europë “miliarderi Soros ka shpenzuar 19 miliardë dollarë për të goditur forcat politike të djathta”.

“Kjo nuk ishte një rrugë e lehtë, por u kapërcye me sukses, vetëm e vetëm se ne besuam tek liria, vlerat. Kaluam në mori pengesash, sulmesh, përpjekjesh, për të na rrënuar. I kapërcyem ato. Në histori nuk gjendet kurrë një rast tjetër ku një multi miliarder, siç është Soros i cili vetëm në Europë ka shpenzuar për të korruptuar shoqëri civile, politikanë dhe forca politike, parlamentare etj., 19 miliardë dollarë, për të promovuar me të gjithë forcën e tij, ekstremin e majtë dhe forcat e majta, natyrisht në kurriz të forcave politike të djathta.

Asnjë forcë politike si e jona nuk është përballur me një tradhtar të kombit amerikan i cili ka shfrytëzuar postin e kryezbuluesit, ka shfrytëzuar fuqinë e FBI-së, kundër një force politike më properëndimore në Shqipëri dhe rajon, kundër një force politike e cila ka qenë promotori më kryesor i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, një forcë politike e cila në përputhje me programin dhe orientimin perëndimor të kombit shqiptar, bëri gjithçka për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, bëri gjithçka për progresin e saj drejt BE-së dhe e vërteta është se marrëdhëniet në mënyrë të veçantë marrëdhëniet me SHBA, njohën në 100 vite kulmet më të mëdha”, u shpreh Berisha.