Në fjalën e tij në protestën e opozitës, kryedemokrati Berisha ka pasur një mesazh për liderët e Bashkimit Europian, të cilëve ju ka thënë se “në Shqipërinë e vërtetë, në pushtet është mafia”.
Sali Berisha: Mesazhi im për BE-në është ky: Liderët që gjenden në Shqipëri i falënderoj, raportet e tyre kanë bërë një punë të çmuar për të ekspozuar monizmin e Edi Ramës. Por Edi Rama u shet samite dhe konferenca të sotme si mbështetje ndaj tij. Ai mbahet në pushtet duke thënë se ka mbështetje ndërkombëtare. Unë nuk e besoj se ka një lider evropian që mbështet arkitektin e shpopullimit, që mbështet kryeministrin e lidhur me krimin dhe mafia. Në Shqipërinë e vërtetë, në pushtet është mafia. Sepse qeveria është e lidhur me krimin, drogën, e faktuar në përgjimet e shumta. Në Shqipëri është ndërtuar narkoshteti i parë në Europë. Tre ministrat e Brendshëm të kësaj qeverie, janë të lidhur me drogën. Një prej tyre është dërguar në Shtëpinë e Bardhë, një tjetër merret me samitin, në mos qoftë brenda. Antimafia na ndihmoi, por ne kemi nevojë për ndihmën tuaj që këta kriminelë të marrin vendin që u takon. Shqipëria në të gjitha vlerësimet, vlerësohet si vendi më i korruptuar në Europë. E vërteta është se Edi Rama dhe nomenklatura e tij, janë më të korruptuarat, kurse shqiptarët e thjeshtë janë më të vjedhurit në Europë. Këtë javë një skandal i ri ka shpërthyer. Edi Rama me arabin e tij Alabar po krijon parajsën e tij, ndaj i duhet të mbledhë para nga Europa dhe bota dhe t’i investojë në Portin e Durrësit.
Kreu i PD-së Sali Berisha ju ka bërë thirrje mediave të huaja që të investigojnë Ramën, pasi kreu i Partisë Demokratike thotë se “do të gjejnë gjëra tronditëse”. Kryedemokrati Berisha u ka thënë gazetarëve dhe mediave të huaja se kryeministri “Edi Rama dhe qeveria e tij përdor të gjitha format e korrupsionit për të blerë mbështetje kundër kundërshtarëve të tij.
Sali Berisha: Të nderuar gazetarë të medieve të huaja, korrupsioni shqiptar është sa kombëtar, aq edhe ndërkombëtar. Edi Rama dhe qeveria e tij përdor të gjitha format e korrupsionit, politik, monetar, erotik, për të blerë mbështetje kundër kundërshtarëve të tij. Ai është kryeministri i vetëm që e përdor korrupsion për të lobuar kundër atyre që e denoncojnë korrupsionin e tij. Në Shqipëri, në katër anët e saj, thonë se po takove Ramën, duhet të kontrollosh xhepat, se ai të ka marrë ndonjë gjë. Ai, ashtu siç blen votat, blen deputetë, siç bleu edhe kreun e opozitës. Ai blen deklarata ambasadorësh kundër kundërshtarëve të tij, vetëm e vetëm për të çimentuar monizmin e tij. Medieve evropiane dhe atyre amerikane u them investigojeni atë që po ndodh në Shqipëri, investigojeni Edi Ramën. Një reporter gjerman zbuloi se Edi Rama vepron si grup mafioz. Ju garantoj që do gjeni gjëra tronditëse. Sot në Shqipëri ka ambasadorë që në shkelje të plotë të Konventës së Vjenës, bëjnë gjithçka kundër opozitës, për emërimin e kreut të saj, duke akuzuar pa asnjë fakt apo dokument, liderin e shkelur me votën e lirë. Ndërkohë ulen krah për krah me vjedhësit e votës së lirë. Opozita shqiptare përballet me lotimin korruptiv të George Soros. Por ne qëndrojmë dhe do qëndrojmë të pavarur në mbrojtje të vlerave që përfaqësojmë. Mafia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare nuk do na mposhtë kurrë. Ndaj ftoj mediat që të hetojnë se jo vetëm do zbardhin krime të denja për çmimet Pulitzer, por do ndihmojnë një popull që vuan. Qytetarëve europianë u them se nuk është varfëria shkaku i këtij eksodi, por vjedhja që u bëhet atyre.
Berisha u dërgoi një mesazh liderëve të Bashkimit Europian, duke thënë se vendi nuk do të sakrifikojë demokracinë për stabilitetin. “Këtu narkoeurot përdoren për çdo krim, përfshi edhe atë që kishin planifikuar ditën e sotme. Mbi këtë bazë, në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë. Madje sot Edi Rama ka pushtet më shumë se sa kishte në vitin 1991, diktatori i fundit komunist. Për treguesin e zbatimit të ligjit, Shqipëria renditet 54 vende ndër Kosovën, por edhe katër vende poshtë republikës socialiste të Vietnamit komunist”, tha Berisha.
“Ndaj nga ky shesh, të zotohemi ne se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri. Ju ftoj të brohorasim: Poshtë stabilokracia dhe vota e vjedhur, Rroftë vota e lirë! U them udhëheqësve politikë të Europës, se Edi Rama është i padenjë të qëndrojë në atë samit. Shqipëria është në rrezik të vërtetë ekzistencial”.