Nga Foltorja me demokratët e Devollit, ish-Kryeministri Sali Berisha i kërkoi Lulzim Bashës të japë dorëheqjen pas zbulimit të letërporosive të autoriteteve belge, ku tha se është në ndjekje penale për dosjen “Toyota Yaris”. Përballjen me ligjin ia kujtoi edhe për dosjen “Muzin”. Nuk u ndal vetëm me këto dy dosje, teksa paralajmëroi çështje të tjera që sipas tij provojnë implikimin në afera të Kryetarit të Partisë Demokratike.
Kuvendin Kombëtar e cilësoi nisjen e ringritjes së Partisë Demokratike, ndërsa dyshes Rama-Basha u kujtoi përballjen me protesta në sheshe. Për të treguar seriozitet me firmat e delegatëve, Berisha la të hapur opsionin e mbledhjes së forumit kombëtar drejtues të Partisë Demokratike në stadiumin “Air Albania”.
Ish-Kryeministri Berisha e cilësoi goditje ndaj Lulzim Bashës publikimin e emrave të delegatëve firmëtarë që kërkojnë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit, proces që sipas tij ka rritur besueshmërinë ndaj lëvizjes së nisur për ringritjen e Partisë Demokratike.
Dosja “Toyota Yaris”, Berisha-Bashës: Në Belgjikë rezulton i shpallur anëtar i organizatës kriminale
Sali Berisha ka deklaruar nga foltorja me demokratët në Bilisht se Lulzim Basha rezulton i shpallur anëtar i organizatës kriminale pas hetimeve për dosjen “Toyota Yaris” në Belgjikë.
Berisha i bëri thirrje Bashës që të japë dorëheqjen ndërsa u shpreh se Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë ka dhënë dritën jeshile për ndjekjen penale të Bashës me kërkesë të autoriteteve belge.
Po ashtu, Berisha ka treguar bisedën që ka pasur me kreun e PD-së, pasi ky i fundit bëri deklaratën në Kuvend se do të vijnë në Shqipëri “Toyota Yaris” me euro, deklaratë që më vonë rezultoi e vërtetë.
Berisha tha se Basha është ndihmuar nga Rama për ta fshehur procedimin penal nga Belgjika. Ndër të tjera, sipas ish-kryeministrit, më datë 17, Basha duhet të paraqitet para prokurorëve belgë.
“Në qoftë se në Shqipëri është vendosur narkoshteti, për fat kë keq, kreu i opozitës me dosjet e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Në foltore të ndryshme kam denoncuar dhe i kam kërkuar para jush të japë shpjegimet për “Toyota Yaris”, të japë shpjegimet për dosjen “Muzin”. Sikundër e garantoj se me radhë do të dalin dosje të tjera dhe e garantoj këtu se projekti i Emirateve i Amarit në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca më e fuqishme politike e vendit. Por të ndalemi për një moment! Ish-ministri ynë i Brendshëm deklaron një ditë prej ditësh në parlament se ditën e shtunë do vijnë me një seri Toyota-sh 5 mln euro dhe do i presë politikisht Taulant Balla. Deklaratë e cila në pamje të parë të dukej si fantazi. E pyes i them, “Zotëri, a më thua pak si e bëre këtë deklaratë”. Tha “është e sigurtë që do vijnë”. Thashë “kur është e sigurt, si mund të dekonspirosh ti operacionin sepse ata që vijnë, ata ndiqen dhe ti faktikisht futesh në vorbullën e kësaj organizate kriminale me deklaratën që bëre”. Kjo do të thotë paralajmërim i atyre që mos hyjnë në Shqipëri, paralajmërim i atyre që po e prisnin që mos dilni me e prit. Jo tha se e ndjekin me GPS dhe nuk ndodh kjo. Në fakt ata erdhën, doli fjalë për fjalë, por ata që duhet t’i prisnin nuk dolën me i prit, ata ikën. Hapet dosja merret në pyetje pengkryetari për të gjithë atë aferë dënohet një njeri. Kjo do të thotë Edi Rama i mbylli dosjen pengkryetarit. Mirëpo dosja i kishte rrënjët në Belgjikë. Prokuroria e Mbretërisë së Belgjikës kishte nisur hetimet. Atë dosje nuk ia mbyllte Rama. Nëse Rama pengu i mbylli dosjen e Tiranës, atë nuk e mbyllte dot dhe këto kohë gazetarët investigativë zbulojnë dokumente autentike në të cilat ministria e Drejtësisë e Shqipërisë jep dritën jeshile për ndjekjen penale të Lulzim Bashës me kërkesë të autoriteteve belge. Kjo ka ndodhur në vitin 2019, ka vazhduar në vitin 2020 dhe ka vazhduar në vitin 2021. Tani, fjala është e drejtësisë belge e cila e kishte marrë një herë në pyetje peng kryetarin dhe ky ishte zotuar që do të flas para drejtësisë belge. Por drejtësia belge nuk varet nga Edi Rama, është drejtësi e pavarur dhe ajo ka nuhatur dhe ka kërkuar marrjen e tij me forcë në pyetje dhe procedimin penal. Dua t’i kërkoj në emrin tuaj, jep dorëheqjen, mos u fshih pas dosjeve të tua. Edi Rama të ka kursyer, të ka mbajtur peng me dosjen në Shqipëri, por me dosjen në Belgjikë e vërteta është që deri më tani rezulton i shpallur anëtar i organizatës kriminale.
E ka fshehur Edi Rama, siç e ndihmoi ta mbyllte dosjen në Shqipëri ka fshehur faktin që ai ishte thirrur 5 herë për t’u proceduar penalisht. Mund tu them se më 1 Tetor të këtij viti është thirrur përsëri dhe sipas burimeve tërësisht të besueshme, me datë 17, prokurorët belgë e presin në zyrën e tyre”, tha Berisha.