Kuvendi është mbledhur këtë të premte për të votuar mbi imunitetin e ish-ministrit Arben Ahmetaj, pas kërkesës së SPAK që kërkon autorizim për arrestimin dhe kontrollin e banesës së tij.
Në nisje të seancës, kryedemokrati Sali Berisha kërkoi fjalën.
“Në mungesë për shkak të arratisë së zëvendëskryeministrit, i cili duhet të ishte në këtë sallë për t’u përgjigjur pyetjeve, në respekt të parlamentit, në respekt të drejtësisë, në respekt të qytetarëve shqiptarë, unë propozoj që të gjitha pyetjeve t’u përgjigjet bosi i tij, Edi Rama. Ndaj thirreni këtu t’i bëjmë pyetje”, tha Berisha.
Por në momentin që Berisha iu drejtua foltores, kryeministri Edi Rama u largua jashtë sallës.
Sa i përket Ahmetajt, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se ai është informuar për këtë seancë, megjithatë ajo tha se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij.