Kryesore “Dikush më tha të duan në burg vëlla”, Arben Ahmetaj mohon të...

“Dikush më tha të duan në burg vëlla”, Arben Ahmetaj mohon të jetë në arrati: Ditë pas dite do nxjerr të vërtetën

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar me një postim në rrjetet sociale para seancës që do të mbahet ditën e sotme në Kuvend për kërkesën e SPAK që kërkon arrestimin e tij.

Ahmetaj thotë se shpreson që drejtësia e re që ai ka mbështetur dhe votuar “me të dyja duart” të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.

Po ashtu, ai shprehet se nuk është në arrati, siç sipas Ahmetajt e quajnë disa, por ka ikur për arsye serioze familjare dhe këtë e ka bërë përpara se kërkesa e SPAK për imunitetin e tij të ketë shkuar në Kuvend.

Postimin e tij Ahmetaj e shoqëron me një foto gjatë kohës që mbante detyrën e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Vendit tim,

Të dashur votues të mi e të Partisë Socialiste,

Të dashur Miq e Armiq njëlloj

Sot është dita kur Parlamenti do votojë heqjen e imunitetit tim, dhe autorizimin e arrestimit tim. Mendova qe të ndaja me votuesit e mi kryesisht, dhe me të gjithë qytetarët këtë mesazh.

Votuesve të mi:

Juve që më votuat në Tiranë në 2005, juve që më votuat në Korçë në 2009, juve që më votuat në 2013 në Gjirokastrën time, në Përmetin tim e në Tepelenën time, juve që më votuat në Rrogozhinën time e në Kavajën time në 2017, juve që më votuat në Njësinë nr. 4 në Tiranë, e në gjithë Qarkun e Tiranës në 2021:

Faleminderit nga zemra!

Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikërisht juve, që kur ideova e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kam bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm.

Shpresoj të kem bërë më të mirën kur mora përsipër Financat në një periudhë tejet të vështirë për ekonominë e vendit dhe i dorëzova në kulmin e rritjes reale. Shpresoj të kem bërë më të mirën me Rindërtimin, kur mijëra e mijëra familje ngelën rrugëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. S’kam për ta harruar atë nënën në Vaqarr që qante me lot kur hyri në shtëpi falas, në pronën e vetë, e si ajo mijëra familje. Shpresoj të kem bërë më të mirën dhe me pandeminë, me sipërmarrjen dhe me rendjen së bashku me kolegë, për vaksinat që nga India, Jordania, Anglia, Amerika e Turqia e gjithandej për të shpëtuar jetët e qytetarëve të vendit tim. Shpresoj të kem bërë më të mirën si ZvKM, me ideimin dhe fillimin e dixhitalizimit të Kadastrës, apo dhe statelitët Albania1 e Albania2 që, siç thotë Niko i Lesajve, po më ndjekin mua në “arrati”. Jam munduar të bëj më të mirën.

Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë.

Unë nuk hyj tek “fytyrat e bukura” që ngjaj bukur në TV, dhe të ngjall perceptim pozitiv, siç rëndom ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e pa bëra. Fatkeqësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe Babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë i tillë kurrë, kush me njeh nga afër, e di mirë këtë. Gjithsesi, ndjesë dhe për këtë.

Falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.

Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që drejtësia e re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.

E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” (së bashku me ata që më duan të vdekur, siç tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjetueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosovë dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/Doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shumë vende demokratike ku Spin Doctor/Doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin… kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.

Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.

Dua të sqaroj qytetarët dhe mbi të gjitha votuesit e mi për ca dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetarë opinionistë e politikanë akuzohem:

1.Për njohje të hershme me një njeri i cili kur unë e kam njohur ka qenë njeri normal e në punën e vet. Nuk e di e s’marr përsipër të bëj gjyqtarin, për çfarë ka bërë në jetë ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dikë që ndoshta drejtësia e akuzon, të bën të akuzuar apo bashkëpunëtor.

Unë në punën time në opozitë dhe më pas në qeveri kam pas kontakte me gati 100 përqind të bizneseve te vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka punë, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra herë formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit të vendit.

Një gazetar që vlerësoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku qc “çkodimi i Blackberry ka zbuluar”…

Bisedat e mija siç e theksova dhe dje janë krejt normale dhe impotente në raport me favorizimin apo lobimin, aq më tepër në opozitë

2. Se ish-bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrore, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lire, si korrupsion???? Pronën e familjes të deklaruar me burime të verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ja ka shitur pronën??

Nëna ime në 2006 ia ka shitur shtëpinë tone motrës time, që jeton gati 17 vite atje. Quhet fiktive???

3. Se bashkëjetuesja ime (që ka 20 vite që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar. Mercenarët e kapur në flagrance kanë pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im, s’e ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë një cent për këtë pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikojeni se është kollaj të mos e duash “fytyrën e ngrysur” timen në perceptim.

4. Se kam bërë alokime e rialokime me kërkesë gjithmonë të ministrive te linje, si Ministër Financash. Ejj Ministri i Financave bën gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e Buxhetit qesh me këtë akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexojë këtë ligj.

5. Se kam bërë biznes ndërtimin në 2004 e kam marrë e kredi në 2006 për këtë biznes (e verifikueshme nga Banka Amerikane, sot Inteza San Paolo). Në komision u tha një e pavërtetë, që kredia është marrë në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.

6. Për mosmarrje pjesë në procedurë të tenderave dhe koncesioneve, për shkak të pozicioneve të mia zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare në ministri të Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi.

7. Se është përdorur fondi rezervë për financimin e inceneratorit të Elbasanit. Edhe sikur të ishte kështu do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur unë s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, Z.Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thirra në SPAK, se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjesë në këtë mbledhje qeverie.

Për ju që i lexoni si kureshtarë (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bëjë me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re.

Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësore apo dikur biznesi e tavolinash është e hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë do thoshte “mua s’më qenka bërë asnjë nga “non grata” që është lëshuar si hienë bashkë me të deformuarin e zëshëm, apo “miq” me thika blu e rozë.

Dikush më tha “të duan në burg vëlla”

Kam marrë kërcënime (I kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht qe do ndodhi… po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë.

Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ajo ato që BIRN nxori dje, që qytetaret të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “e fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes teë publikut.

Më kanë quajtur “në arrati”. Mendoj që kam ikur për arsye serioze familjare (një pjesë e miqve të mi e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për imunitetin tim të ketë shkuar në postë për të arritur pas disa ditësh në Kuvend. Kush ka qejf për scoop ta quajë ‘arrati’. Dhe Luigjit të 16 ju dha katër ditë kohë përpara se t’i pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta ‘palë të treta’ e një material 60 GB.

Se fundmi i falenderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershem, sot në opozite, e të rinj që firmosin për punë e projekte….

Në mbyllje, i kërkoj të falur familjes time, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjolës bashkëjetueses time, Albinës, ish-gruas time, nënës time, motrave të mija, miqve të mi për shqetësimet që i kam sjellë padashje me këtë histori. Shpresoj që të më falin në këtë jetë.

I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po Zoti e di të vërtetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr.

To be continued…