Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në Prokurori paraditen e së enjtes për t’u marrë në pyetje lidhur me protestën e 8 janarit në selinë e PD.
“Basha është vegël e qeveri, aty thirrem nga Rama”, kështu u shpreh këtë të enjte Sali Berisha teksa doli nga shtëpia e tij për të shkuar në Prokurorinë e Tiranës.
Berisha u shpreh se do të informojë gazetarët hollësisht sapo të dalë nga prokuroria.
“Çfarë do të dëshmoj unë në prokurori? Do të dëshmoj bashkëpunimin në shkallën më të lartë të krimit në narkoshtetin shqiptar që doli qartë si drita e diellit me datën 8 Janar. Për më shumë ju ftoj se sapo të dal nga dera e Prokurorisë do ju informoj ju hollësisht. Basha është një vegël e qeverisë, ato i ka dërguar Rama. Aty thirrem nga Rama unë, jo nga Basha”, tha Berisha.
Ndërkohë Berisha tha se gjykata duhet të ndëshkonte policinë që ndaloi njerëz të pafajshëm duke i kthyer në këtë mënyrë përgjigje gazetarëve për vendimin e djeshëm për të liruar të 34 personat e arrestuar pas protestës së 8 Janarit.
Në orën 12:00 pritet të paraqitet në prokurori edhe deputeti demokrat Flamur Noka.
Ndërkohë, kryetari i PD-së Lulzim Basha, është thirrur në prokurori të premten.
Përplasja e dhunshme mes demokratëve në selinë blu mesditën e 8 janarit përfundoi me dhunë dhe shkatërrime në selinë e PD, ndërsa pati edhe të lënduar nga hedhja e sendeve të forta nga brenda dhe jashtë godinës.
Policia arrestoi 34 persona, 23 prej të cilëve kanë qëndruar jashtë godinës së selisë blu dhe 11 të tjerë në ambientet e brendshme.
Por një ditë më parë Gjykata vendosi t’i linte të lirë të gjithë të arrestuarit, ndërsa për 6 prej tyre u vendos hetim në gjendje të lirë.