Sali Berisha, me të mbërritur para SPAK-ut, deklaroi para mediave se “me urdhër politik, mercenarët e prokurorisë politike të Edi Ramës, mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës prej 255 ditësh, pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi”.
“Jam sot për t’u paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot në këtë mënyrë mandat të katërt, por shumë shpejt do ta lëshojë atë me pjesën e trupit që ka më qejf në tokë. Prokuroria politike e Edi Ramës, bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe ish-ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ka hetuar Sali Berishën në 3 breza deri te mbesat e tij, qysh kur ato nuk kishin lindur akoma. Ata kanë hetuar veprimtarinë e Partisë Demokratike duke filluar para 20 vitesh e deri te kandidatët për kryetar bashkie në vitin 2023. Por, me urdhër politik, mercenarët e prokurorisë politike të Edi Ramës, mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës prej 255 ditësh, pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi, përveçse me dëshirën e Edi Ramës”, theksoi Berisha.
“SPAK, prokuroria private politike e Edi Ramës, me dosjen “Partizani” krijoi një piramidë mashtrimi, kreu shkelje kushtetuese të përsëritura dhe la në arrest Berishën për t’i shërbyer Edi Ramës. Në dosjen Partizani nuk ka absolutisht çështje penale dhe shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike, përkundrazi ka përfituar nga zbatimi i ligjit”, shtoi Berisha.