Ish-kryeministri Sali Berisha, nga takimi me demokratët në Sarandë është shprehur se “Foltorja” është mrekullia më e madhe e 30 viteve të fundit. Sipas tij “Foltorja” është fuqia e lirisë që do të kthejë PD-në më fortë dhe më të bashkuar.
“’Foltorja’ është pa asnjë diskutim mrekullia më e madhe e 30 viteve të fundit. Jeni në mbështetje të vlerave të lirisë. Në emër të një opozite të vërtetë vutë firmën për Kuvendin Kombëtar dhe për ta bashkuar Partinë Demokratike, për ta rikthyer në shtëpinë e lirisë. Duke qenë të bindur se fuqia e lirisë është fuqia supreme. Ju me firmën tuaj njëlloj si kushtetuta e SHBA, ne populli i thatë udhëheqjes së PD të marrë peng se do të mbahet Kuvendi Kombëtar dhe i çuar Edi Ramës mesazhin më drithërues të këtyre tetë viteve. I them atij se kohërat janë të shkurtra”, u shpreh Berisha.
Berisha ka folur dhe për dorëzimin e firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duke thënë se të gjitha janë të sakta dhe mund të verifikohen nga të gjithë.
“Pak ditë më parë 4200 e firma u depozituan, të gjitha me emër e mbiemër, me firmë, me numrin e kartës dhe me funksionet e tyre. E paimagjinueshme, drita e tyre verboi selinë, kryetarin e saj, kryetarin pa parti. Mund të bëjë një pyetje, keni konstatuar ju ndonjë takim pas zgjedhjes që bëri për karrigen e vetë. Asnjë takim. Atë e ka pushtuar një frikë e tmerrshme. Jo nga pushteti, me pushtetin është në ujdi, por ka frikë nga ju. Frikën e ka nga ju e ka se nuk do pranoni kurrë pazaret me Ramën dhe shndërrimin e pluralizmit politik në pluralizëm fasadë. Janë këto arsyet se pse kryetari peng, ka frikë dhe tmerr që nuk takohet me ju. Tani këtë frikë që ka nga ju e demonstroi në mënyrë primitive, frika e tij e madhe janë firmat tuaja, tmerri jo vetëm i atij, por i kreut të meduzës janë firmat tuaja. Tmerri i mafies së Xhorxh Sorosit janë firmat tuaja. Firmat tuaja janë garancia më e madhe e një opozite sovrane dhe vigane. Ata që mohojnë firmat, duhet të çlirohen nga frika e tyre. Ato janë firma që po shkruajnë me gërma të arta historinë që solli pluralizmit në Shqipëri”, shtoi Berisha.
“Ata që nuk vijnë në Kuvendin Kombëtar nuk do të përjashtohen nga PD”
Berisha ka deklaruar se askush nuk do të përjashtohet nga partia pas Kuvendit Kombëtar.
Në fjalën e tij, lideri historik i PD tha se kur ai të bëhet kryetar do ta shndërrojë në demokratike. Po ashtu u është përgjigjur dhe deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, i cili ka kundërshtuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
“E thërrisni ju thotë kryetari, por prisni ta shikoj unë. Nuk do shohësh asgjë. Ti do shkosh të shohësh të gjitha firmat, por tagër mbi to ke zero, zero, zero. Sjellin statute të 15 viteve më parë, zero vlerë, sjellin dështimin e tyre të plotë. Ajo janë të depozituara në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Të gjithë mund të shkoni të 4200 firmat, asgjë nuk fshehim ne.
Ne ato nuk i publikojmë, pasi ka një ligj për mbrojtën të dhënave personale. Sot shkuan mediat dhe i morën një për një në dorë dhe i panë. Ata kanë frikë nga firmat tuaja, le të vijnë në Kuvend por dhe nëse nuk vijnë në Kuvend nuk përjashtohen nga Partia Demokratike”, u shpreh Berisha.