Politika Berisha paralajmëron “opozitë të vërtetë”: S’do të lëmë që Portin e Durrësit...

Berisha paralajmëron “opozitë të vërtetë”: S’do të lëmë që Portin e Durrësit ta marrë Basha e Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëron për opozitë të fortë në kundërshtimin e projektit për Portin e Durrësit. Ai akuzoi se në këtë aferë janë përfshirë kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha.

“Do të jetë opozitë e vërtetë. Pse do të lemë ne Portin e Durrësit që 800 mijë metra t’i marrë Rama me Bashën. Kurrën e kurrës”, tha ish-kryeministri gjatë intervistës në “Now” nw Euronews Albania.

Berisha tha se ka dalë qartë që Basha është i përfshirë në këtë koncesion.

Ish-kryeministri shtoi se po të drejtohej prej tij opozita nuk do të lejohej kurrë që të ndodhte korrupsioni me inceneratorët.

Ai tha se PD e ka denoncuar vetëm dy herë këtë aferë dhe në padinë penale është hequr emri i Këshilltarit të Ramës, Engjëll Agaçi.

“E ka hequr se Engjëll Agaçi është njeriu që i mbyll çështjet atij në gjykata”, tha Berisha.

Berisha i gatshëm të shkojë në Prokurori për protestën

Sali Berisha tha se është i gatshëm të shkojë në prokurori nëse thirret si person që është në dijeni të fakteve, për përplasjet para selisë së PD-së që ndodhën ditën që ai kishte mbledhur protestuesit.

“Që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.

“Unë për hir të qëndrimit tim ndaj ligjit do të shkoj pa diskutim dhe do të them fjalët e mia”, shtoi ish-kryeministri në emisionin “Now”.

Një ditë pas protestës së zhvilluar përreth dhe brenda ambienteve të Partisë Demokratike, Policia e Shtetit njoftoi se janë arrestuar në flagrancë 34 shtetas, si dhe janë proceduar penalisht 18 të tjerë.

Mes të proceduarve është sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputeti, njëherësh edhe anëtar i Grupit të Rithemelimit, Flamur Noka.

Mbi Bardhin rëndojnë akuzat “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Ndërsa deputeti Noka akuzohet për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia theksoi se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune.