Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Kamza se Partia Demokratike braktisi demokratët dhe vlerat e tyre në 8 vite duke shkarë majtas.
Kjo është arsyeja sipas tij që demokratët nuk dalin në votime.
“Pse 30-40% e vëllezërve dhe motrave tona nuk dalin në votime, pse nuk votojnë PD. Sepse në 8 vite e i braktisi ata, vlerat që ata besojnë. Shkau majtas dhe drejt greminës. Ata presin ju, presin ne që ti rikthejmë vlerat partisë tonë, ta shëndërrojmë në lokomotivë të zhvillimit të Shqipërisë. Ju jeni misionarë të një misioni të madh. PD ndodhet në këtë periudhë në ditë kritike”, akuzoi Berisha.
Ai sulmoi edhe njëherë George Soros, që sipas tij u vërsul me tërbim mbi të djathtën shqiptare.
“Mafia më e rrezikshme e planetit e kryesuar nga multimiliarderi George Soros u vërsul me tërbim mbi të djathtën shqiptare. Soros nuk është Amerika, ai është një armik i egër i aleatëve tanë të vërtetë, republikanëve amerikanë. Ai me bilionat e tij punon ditë dhe natë të shkatërrojë vlerat e konservatorizmit në vendin e tij, të njëjtën gjë bëri në Shqipëri. Ne jemi këtu për tu zotuar se në Shqipëri do të ngrihet një forcë konservatore, PD më e fuqishme se kurrë në 30 vite”, u shpreh Berisha.
Berisha komentoi edhe projekligjin e qeverisë që lejon bashkëjetesën mes personave të së njëjtës gjini dhe u jep mundësinë e birësimeve.
“Vlerat që ne besojmë janë më të rrezikuara se kurrë. Ne i besojmë familjes si themeli i gjithë themeleve të shoqërisë. Edi Rama futi në shkolla formularin e numërimit të prindërve si të ishte matrikullim vetëm për të shuar shenjtërinë e familjes tonë, tani ka çuar në parlament ligjit për ti hapur rrugë trafikimit të fëmijëve përmes adaptimit. Ti besosh fëmijët atij që është krejt i vetëm në kushtet kur je shtet narkotrafiqesh e bën vetëm për ti bërë objekt trafikimi. Fëmijët shqiptarë sot janë fëmijët më të mjeruar të Europës. Në Shqipëri fëmijët janë dy herë më të kërcënuar se fëmijët shqiptarë në Kosovë. Fëmijët e Shqipërisë zënë vendin e parë në rrugët e Europës si fëmijë të trafikuar. Ky do të miratojë ligjin absolutisht de facto të trafikimit të fëmijëve”, tha Berisha.