Kryesore Katërfishohen rastet e reja me Covid

Katërfishohen rastet e reja me Covid

Janë katërfishuar infektimet me Covid në 24 orët e fundit në vendin tonë. Nga 3273 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 725 qytetarë, ndërkohë që të hënën u evidentuan vetëm 197 raste. Thënë ndryshe në 24 orët e fundit është evidentuar 1 i infektuar në çdo 4.5 persona, ndërsa një ditë më parë ky raport ishte 1 në 10.

Harta e përhapjes së virusit është shtrirë sërish në gjithë vendin, por Tirana mban vendin e parë me 289 raste të reja dhe pas saj vjen Fieri me 43 raste, Elbasani me 36, Vlora me 32, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh.

6 qytetarë të tjerë nuk arritën ta fitojnë betejën me virusin, duke e çuar në 2937 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë. Dy prej tyre ishin nga Berati, ndërsa të tjerët nga Tirana, Fieri, Shkodra dhe Tepelena.

Situata në spitale ka pësuar një përmirësim të lehtë, teksa numri i të shtruarve këtë të martë ka ardhur në rënie.

Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 157 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar.