Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me anë të një postimi në Facebook, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka urdhëruar “falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve”, duke sulmuar “në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”.
“Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, shkruan Berisha në rrjetin social.
“Pa dyshim një falsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete. Me këtë sulm të ulët dhe amoral, Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat offshore të denoncuara në Raportin e OSBE-së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari”, përfundoi Berisha.