Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, është fokusuar sërish te çështja “McGonigal”, për të cilën është shprehur se, nuk ka asnjë dyshim se prapa kësaj mbështetje të jashtëzakonshme të Edi Ramës qëndronte edhe vetë ish-zyrtari i lartë amerikan.
“Të nderuar deputetë, nesër është përsëri një seancë e parlamentit, në të cilën siç duket, pseudoshumica e skandaleve, e vjedhjeve, vazhdon bllokimin e parlamentit dhe asgjësimin, shkelmimin e të drejtave të opozitës. I ngërthyer dhe i pashpresë në Rama-gate, apo Uotergejtin e shekullit të 21-të, Edi Rama beson dhe mendon, ose ka vendosur ta kapërcejë këtë skandal, duke paralizuar hetimin parlamentar, duke paralizuar të drejtat e deputetëve, të drejtën e fjalës.
Edhe njëherë, dua t’u bëj të qartë të gjithë qytetarëve shqiptarë, se në këtë çështje, me këtë skandal, janë dëmtuar interesat e mbarë shqiptarëve sepse afera Rama-McGonigal ishte një levë Arkimedi për konsolidimin, për fitoren e paligjshme dhe konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen. Shqiptarët janë dëshmitarë për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që iu dha Edi Ramës, pavarësisht nga dhunimi i zgjedhjeve, pavarësisht nga shndërrimi i vendit në një protektorat krimi, pavarësisht nga vjedhjet e shfrenuara të fondeve, buxhetit, pasurive publike të shqiptarëve.
Nuk ka dyshim se prapa kësaj mbështetje qëndronte edhe dora e zezë e Charles McGonigal, i cili i paguar nga Edi Rama, nëpërmjet Dorian Duçkës, këshilltarit të tij personal, i cili i dha 225 mijë dollarë në garazhet dhe banesën e Agron Nezës, bëri gjithçka që sipas një skenari supermafioz, duke tradhtuar vendin e tij, betimin ndaj ligjit dhe Kushtetutës, besimin e presidentit të SHBA-së dhe të Kongresit amerikan ndaj tij dhe u mor me shkatërrimin e opozitës shqiptare, me qëllimin e vetëm, që pagatori i tij të vazhdonte të qëndronte në pushtet dhe ta paguante më tej.”
Gjobëvënia e McGonigal/ Berisha: Kjo veprimtari, datën e fundit të saj që di unë, është 20 maj e vitit 2022
“McGonigal është në burg dhe krimi i tij është i shëmtuar, por për Shqipërinë, më i rëndë është krimi i Edi Ramës. Kryeministër që paguan vrasës me pagesë kundër pluralizmit dhe opozitës së vendit të tij. Ky nuk është kryeministër, ky është krim-ministër. Ky krim-ministër, për t’u fshehur pas gishtit, bllokon dhe paralizon parlamentin. Veprimtaria e Rama-gate është vetëm maja e ajsbergut. E vërteta është se në thellësinë e saj, ka krime të shumëllojta.
Dorian Duçka, këshilltari personal privat i Edi Ramës, në emër të Edi Ramës, bashkë me mafiozin Agron Neza, që u paraqitej viktimave të veta si oficer i FBI-së, kalonin nga klubi në klub, nga restoranti në restorant, duke gjuajtur ku gjenin biznesmenë, për t’i terrorizuar se jeni në lista dhe se duhet të merremi bashkë tani, për të zgjidhur problemet. Përndryshe, blacklistimi është i sigurt për ju.
Kjo veprimtari, të dashur miq, datën e fundit të saj që di unë, është 20 maj e vitit 2022. Po kjo nuk do të thotë se pas majit nuk ka vazhduar ky gjah i turpshëm mafioz. Kjo është një ngjarje që nuk mund të kapërcehet kurrë. Studentët e Ekuadorit u derdhën në rrugë, vetëm se një ministër i tyre doli i lidhur me dy mafiozë shqiptarë dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë. A mundet ne të pranojmë që nuk bëhet fjalë për dy mafiozë dosido, por për një krim-ministër që porosit asgjësimin e opozitës te vrasës me pagesë.”