Opozita Berisha: Primaret e PD kanë tronditur Ramën dhe grupin e tij mafioz

Berisha: Primaret e PD kanë tronditur Ramën dhe grupin e tij mafioz

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se primaret janë tashmë pasaporta e hapjes dhe ndryshimit thelbësor të PD-së.

“Ato kanë krijuar një impakt shumë pozitiv tek anëtarët dhe simpatizantët tanë, por në përgjithësi tek të gjithë shqiptarët që besojnë tek vota e lirë, dhe respekti tek individi. Shqiptarët kanë nevojë jetike për ndryshimin e PD-së, si parti e shpresës, besimit dhe të ardhmes. Ndryshimi natyrisht realizohet vetëm me vepra, me hapa konkretë,” u shpreh Berisha.

Ai diskutoi për miratimin në vazhdim të kandidaturave për primare në bashkitë e mbetura dhe aksionit opozitar në tërësi.

Kryedemokrati tha se ka mbi 200 kandidatura të cilat vijnë nga PD, shoqëria civile, bota akademike, por edhe nga diaspora dhe emigracioni.

Berisha theksoi se primaret kanë trembur kryeministrin Rama.

Ai garantoi se procesi do të jetë i drejtë, i ndershëm dhe do të realizohet me integritet. Duke qenë se këto janë primaret e para, Berisha u shpreh se do të bëjnë çmos që gjithçka të finalizohet me sukses.

“Kudo kandidatët tanë në primare po paraqiten jo si të krahut tjetër, që jetojnë si me qenë në shpellat apo bodrumet e mafies, ku nuk e di kush janë dhe çfarë bëjnë, por tanët janë para simpatizantëve, janë më media dhe janë kudo,” – tha Berisha.

“Me të vërtetë kanë arritur ta bëjnë këtë proces, një proces që ka ngjallur interes të veçantë te publiku. Një proces që po vlerësohet në të gjithë spektrin politik dhe një proces që në fakt ka tronditur thellë Edi Ramën dhe grupin e tij mafioz, që në vend të rregullave të demokracisë ka përcaktuar në partinë e tij rregullat e bosit të mafies, ku vendos vetë gjithçka, ku nuk ekzistojnë as forume dhe as vota e lirë”, tha Berisha.