Bota Gjykata Supreme në Britani bllokon Skocinë, ndalon mbajtjen e referendumit për pavarësinë

Gjykata Supreme në Britani bllokon Skocinë, ndalon mbajtjen e referendumit për pavarësinë

Gjykata Supreme në Britani vendosi të mërkurën se qeveria skoceze nuk ka mjaftueshëm autoritet të njëanshëm për të mbajtur një referendum të ri për pavarësinë.

Bëhet fjalë për një hap prapa në përpjekjet e administratës skoceze për të votuar vitin e ardhshëm për t’u shkëputur nga pjesa tjetër e Mbretërisë. Megjithatë, ata shpresojnë të luftojnë me mjete të tjera.

“Ne duhet dhe do të gjejmë një mënyrë tjetër demokratike, ligjore dhe kushtetuese, përmes të cilës populli skocez të shprehë vullnetin e tij. Zgjidhja mund të jenë zgjedhjet. Zgjedhjet e ardhshme kombëtare të planifikuara për Skocinë, pjesë e zgjedhjeve të përgjithshme të Britanisë, përbëjnë shansin më të qartë për të kërkuar një referendum de fakto”, tha Nicola Sturgeon, ministre e parë e Skocisë.

Qeveria britanike në Londër mirëpriti vendimin, me kryeministrin Rishi Sunak që theksoi se e ardhmja e Skocisë është më e ndritshme brenda Mbretërisë së Bashkuar.

“Mendoj se populli i Skocisë do që ne të punojmë së bashku për zgjidhjen e sfidave kolektive me të cilat përballemi, qoftë ajo ekonomike, ajo e sistemit shëndetësor, apo mbështetja e Ukrainës. Tani është koha që politikanët të punojnë së bashku dhe këtë do të bëjmë”, u shpreh Rishi Sunak, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Në 2014-n, Skocia mbajti një referendum për pavarësinë, ku pjesa që dëshironte të qëndronte brenda Mbretërisë së Bashkuar fitoi me 10 pikë përqindjeje.

Sidoqoftë, pasi Britania votoi si e tërë për daljen nga BE, çështja u rikthye pasi shumica e skocezëve donin qëndrimin në bllokun evropian.