Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në konferencën e përjavshme me gazetarët, teksa ka folur për protestën e 6 dhjetorit, dita kur në kryeqytetin shqiptar mblidhen liderët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.
Sipas Berishës, protestat në samite apo takime ndërkombëtare, përveç vendeve totalitare, janë gjërat më normale në vendet e lira. Kreu i PD u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe se liderët europianë duhet të kuptojnë se shqiptarët janë kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë së tyre.
“Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj.
Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Xhenoa, Paris, Dublina, Uashington etj.
Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju Jork gjatë samitit të OKB. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla.
Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, evropiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat”, tha Berisha
Sipas Berishës, vendi i PD më 6 dhjetor është në rrugë dhe vetëm në protestë në mbrojtje të vlerave evropiane në Shqipëri.
“Së fundi dy fjalë për qëndrimin e narkoqeverisë ndaj protestës. Ky është dëshmi e mendësisë komuniste. Pretendimi se mos na dëgjon bota se gëzojnë armiqtë, është koncept komunist.
Të bësh sikur gjithçka shkon mirë, është metodë komuniste. Propaganda e tij i shërben krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse do të përdorë samitin për të maskuar këtë. Diktatorët e botës përdorin të njëjtën gjuhë.
PD është forca më perëndimore e Shqipërisë dhe shqiptarëve. PD ka bërë më shumë se kushdo tjetër për integrimin e Shqipërisë në institucionet perëndimore. PD është forca e parë që kërkoi futjen e Shqipërisë në NATO, ajo kërkoi asociimin në BE që në vitin 1992 dhe nënshkroi më vonë këtë marrëveshje.
Ajo hoqi vizat me BE. Ajo paraqiti kërkesën për kandidat në BE. PD ka votuar gjithmonë pro-Perëndimit. Prandaj vendi i saj më 6 dhjetor është në rrugë dhe vetëm në protestë në mbrojtje të vlerave evropiane në Shqipëri”, theksoi Berisha.