Aktualitet Pallati i Kongreseve “zbukurohet” para Samitit të BE-së, 16 nivele të sigurisë...

Pallati i Kongreseve “zbukurohet” para Samitit të BE-së, 16 nivele të sigurisë dhe cili është plani “B” për çdo të papritur

Autoritetet shqiptare kanë nisur punën në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohet Samiti historik BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë mbahet në Shqipëri.

Punonjës të Bashkisë Tiranë po punojnë për rregullimin e ambienteve të jashtme të godinës, duke vendosur vazo me lule dhe duke pastruar shkallët. Punonjës të tjerë kanë hapur kanalet për kalimin e kabllove që do të duhen për sigurimin e infrastrukturës teknologjike për samitin njëditor.

Temat kryesore që do të diskutohen do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Aktiviteti do të nisë në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare.

Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15 programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.

Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe përreth stadiumit Arena Kombëtare do të aplikohen 16 nivele të sigurisë së Policisë shqiptare në bashkëpunim me protokollin e sigurisë së Brukselit. Godina e Këshillit të Ministrave është parashikuar si plan B për mbajtjen e Samitit, sipas protokollit të kërkuar nga unioni për çdo të papritur.

Opozita ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë para Kryeministrisë po atë ditë, në orën 12:00, por sipas Kryeministrit Edi Rama nuk ekziston mundësia që të thyhet protokolli. “Për sa i përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Këtu hyn në fushë siguria e samitit dhe garantimi i gjithë masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacioneve të mbarë Europës. Këtë Samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij Samiti”, tha Rama të enjten në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë.