Politika Berisha: Rama thotë se askush s’vdes urie, por ne duhet të jetojmë...

Berisha: Rama thotë se askush s’vdes urie, por ne duhet të jetojmë si njerëz

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte këtë të mërkurë në Malësinë e Madhe, ku mbajti një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Isa Ramaj.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek ofertat politike që kanë maxhoranca dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” në këto zgjedhje.

Ish-kryeministri theksoi se opozita ka programe konkrete, ndërkohë që kryeministri Rama ka nxjerrë formulën se “asnjë shqiptarë nuk ka vdekur kurrë për bukë”.

Berisha theksoi se çështja është që njerëzit të jetojnë me dinjitet dhe jo të sigurojnë vetëm bukën e gojës.

“Çdo qytetar i Malësisë së Madhe kudo që ndodhet në këtë trevë, në Shqipëri apo emigracion, duhet të bëjë çdo përpjekje të votojë më 14 maj.

Të votojë, sepse kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pasur një qeveri që t’i ketë vjedhur gjer në palcë, e cila t’i ketë plaçkitur ata në çdo gjë, e cila t’iu dyfishojë bizneseve taksat, e cila iu dyfishon çmimet. Sot, me rritjen njëvjetore të çmimeve, secili nga ju harxhon një rrogë më shumë për të blerë ushqimet, dy pensione më shumë.

Kurse ai shëtit me avion në vakanca dhe shpenzon 22 milionë euro. Vjedh nga ju gjysmë miliardi euro, nuk ua kthen, përkundrazi ia jep klientelës së tij.

Nuk ka pasur asnjë qeveritar që të ketë vendosur një tirani varfërie me kaq shpejtësie mbi ju sa Edi Rama.

Nuk ka vend më të bukur se Malësia, nuk ka potenciale më të mëdha se Malësia. Pse braktisen? Se këto pasuri ndjehen të huaja, nuk ndjehen të qytetarëve, por të qeveritarëve.

Edi Rama ka nxjerrë formulën që nuk vdes askush urie. Nuk është puna të vdesësh urie, por të jetojmë si njerëz, të ushqehemi si njerëz, të rrisim fëmijët tanë siç duhet.

Ndaj dhe 14 maji është një ndarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është ndarja me një regjim që përzuri me përçmim mbi 1 milion shqiptarë në 8 vite, më shumë se çdo luftë, se çdo murtajë apo fatkeqësi natyrore.

Po përballen dy kultura, dy rryma. Njëra është e juaja, që vjen e paraqet programin, që vjen me transparencë para jush. Kurse tjetra është e bodrumit të Edi Ramës. Asnjë kandidat i tij nuk ka guxuar të dalë para jush në ekranet televizive apo në shesh dhe të debatojë me kandidatët tanë.

Edi Rama vjen këtu dhe përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë absolute. I thashë edhe asaj dite, se po të lexosh historinë e kësaj malësie, nuk e bën kurrë atë përpjekje. Jo sot, por edhe në vitet 1870, përfaqësuesit e Malësisë së Madhe i provuan Kongresit të Berlinit se pavarësisht nga fetë, ata ishin një dhe vetëm një, ishin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë”, tha Berisha.