Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Kurbin, Behar Haxhiu.
Gjatë prezantimit të kandidatit për Bashkinë Kurbin, krydemokrati Berisha ka përgëzuar demokratët e Kurbinit, të cilëve ju ka thënë se e kanë mbështetur PD-në në kohëra të vështira, teksa ka shtuar se janë forcë e energjive dhe e sukseseve.
“Vij sot me një ndjenjë kënaqësie të veçantë të paraqes para jush si kandidat për qytetar të parë të bashkisë Kurbin, njërin nga qeveritarët vendorë më të sprovuar jo vetëm të Kurbinit, por edhe të Shqipërisë, Behar Haxhiajn. Njeriun që qeverisi si një shërbëtor i bindur, i përkushtuar, i qytetarëve që e votuan atë. Njeriun që vuri të gjithë energjinë e tij për të zgjidhur, problemet, hallet e komunës dhe qytetarëve të saj. Por Behar Haxhiajn, e kam paraqitur disa herë para qytetarëve, por kësaj here vij më ballëlartë se asnjëherë para jush, sepse ai është kandidati që ju zgjodhët vetë, që ju e votuat në një proces primaresh të aplikuar për herë të parë në këtë formë në Shqipëri dhe ju garantoj unë ju, ky është standardi më i mirë i përcaktimit të qeveritarëve vendorë, të drejtuesve të partisë, të deputetëve. Dhe ka marrë fund me këtë rast koha kur ata vinin kandidatura të kryetarit apo kryesisë së PD-së, në piedestal sot është anëtari dhe anëtarja e PD-së, mbështetësi ynë, me dinjitetin e tyre me vullnetin e tyre politik, do të jetë ligj, njëherë e mirë. Krahasoni pak kandidatët tanë të lirisë, Beharin, Pashkun, Albertin dhe kudo në Shqipëri, me kandidatët tjerë që kanë dy tipare; së pari ky ti prekësh janë për arrestime dhe burgje se kanë vjedhur ditë e natë. Kjo është e vërteta, e faktojnë vetë zhvillimet. Së dyti janë që të gjithë klonime të Edi Ramës dhe nuk kanë asnjë lidhje, as me bazën e PS-së dhe as me PS-në. Edi Rama ka përqendruar në dorën e tij të gjitha pushtetet, dhe ka përzënë votën”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se në vitin 2013 kur ata dorëzuan pushtetin, Shqipëria kishte pagat më të larta në rajon. Po ashtu, ai ka deklaruar se taksat janë për të mbajtur administratën dhe pastaj për qytetarin e për shpërblimin e tij.
Kryedemokrati Berisha është shprehur me rrogën aktuale, shqiptarët blejnë 30 për qind më pak se ç’blinin në 2013 dhe argument për këtë jep rritjen e çmimeve.
“Shqipëria këto 8 vite, cilido që ndalet dhe analizon, konstaton se ka një rrokullisje të jashtëzakonshme, ka një shkretëtim që nuk e ka njohur kurrë në historinë e saj, ka një varfërim në rritje. Ka një mungesë të plotë rendi, një shkatërrim të shërbimeve, shkatërrim të institucioneve.
Shqipëria sot nuk ka drejtësi, ajo që quhet drejtësi sot është një seksion i partisë së Edi Ramës. Të gjitha këto përbëjnë një dramë të vërtetë dhe ka një rezultate; largimi masiv i shqiptarëve nga Shqipëria. Në 8 vite u larguan nga Kurbini, nga Shqipëria, u larguan më shumë se 1/3, më shumë se një gjeneratë. Në 8 vite nuk ikën vetëm 1/3 e banorëve, kanë ikur më shumë se 1/3 e mjekëve, kanë ikur gati gjysma e mjekëve. Sot për mjekë për frymë jemi pothuajse sa në vitet ’60. Sot mjekë për frymë kemi aq sa kishim në vitet ’60. Sot arsimtarët sapo gjejnë mundësinë më të vogël, braktisin arsimin. Sot 2500-3000 policë kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre, sot gjysma e ushtarakëve shqiptarë kanë paraqitur dorëheqjen e tyre. Të gjitha këto për një shkak të vetëm, sepse rrogave të tyre, me rrogat që marrin nuk përballojnë kurrsesi jetën.
Sot mësuesi në Kosovë, 50-70% më shumë se mësuesi në Shqipëri. Mjeku në Kosovë, merr dyfishin e rrogës që merr mjeku në Shqipëri. Oficeri, polici në Kosovë merr një rrogë 50% më të lartë. Nuk po marr Malin e Zi, se i ka edhe shumë më të larta. Çfarë ndodhi me ne, pse kjo? Në vitin 2013, ne arritëm në një arritje të jetës sonë, sepse ne kemi qenë më të varfrit, por në vitin 2013 ne e dorëzuam pushtetin kur shqiptarët kishin rrogat më të larta në rajon, më të larta edhe se bullgarët dhe rumunët që ishin në BE.
Rrogat u dyfishuan, pensionet u dyfishuan, po pse? Sepse ai ishte qëllimi më kryesor i qeverisë. Sepse nuk ka qenë e cila zgjidhet me votëbesimin e qytetarëve që nuk ka qëllim numër 1, të ua rikthejë qytetarëve në rroga, pensione, shërbime taksat e tyre. Taksat që paguajnë qytetarët në çdo gotë uji, kafshatë buke, në çdo gjë që blejnë, ato janë për të mbajtur administratën dhe pastaj për qytetarin, shpërblimin e tij, rrugët, shkollat, ujësjellësin, kanalizimet.
Kjo është situata, filloi lufta në Ukrainë, sulmoi Rusia e ky i thotë shqiptarëve sepse Gjermania po heq ujin e ngrohtë nga shkolla. Po ku ka gaz në Shqipëri? Gënjeshtar i paskrupullt! Po ç’punë kemi me gazin ne? Ne jemi vend i bekuar. Ne me nismën që morën, sot Shqipëria prodhon 55 për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë. Ajo kthehet në mallkim për qytetarin, këta zbrazin diga gjithë verën dhe ju shesin sekserëve të tyre dhe fitimin e ndajnë me ministra dhe me qeveritarë”, tha Berisha.