Politika Berisha shfaqet për herë të parë në jetë me syze dielli, Mesiç:...

Berisha shfaqet për herë të parë në jetë me syze dielli, Mesiç: Uroj të mbetet shumë gjatë në politikë

Pas goditjes së marrë në protestën e 6 dhjetorit, kryedemokrati Sali Berisha u shfaq me syze të errëta për të mbuluar shenjën, në takimin që pati ditën e sotme me ish-Presidentin kroat, Stipe Mesiç. Kjo është hera e parë në jetën e tij publike, që Sali Berisha shfaqet me syze dielli.

Duke folur pas takimit, Mesiç deklaroi se Sali Berisha i duhet gjithë shqiptarëve, në Shqipëri dhe më gjerë, por edhe komunitetit ndërkombëtar.

“Isha mysafir në Shqipëri, dhe gjatë ditëve që qëndrova këtu, dëgjova për atentatin për sulmin që u bë këtu, dhe më shqetësoi shumë.

Më shqetësoi dhe u befasova për shkak se Dr. Sali Berisha është babai i demokracisë në Shqipëri dhe më gjerë.

Unë kam qenë ish-kryetar i Kryesisë të Jugosllavisë dhe ish- president i Kroacisë, dhe në fakt prej fillimit jam bashkuar me dr. Sali Berishën për të vetmen gjë, çështjen e demokracisë. Unë nuk kam shumë të dhëna për momentin, nuk dua të deklaroj diçka më tepër, por ky quhet atentat që është bërë kundrejt doktorit.

Sali Berisha i duhet të gjithë shqiptarëve në Shqipëri e më gjerë, i duhet rajonit dhe Komitetit Europian.

Unë i dëshiroj nga zemra shumë shëndet dhe të mbetet pjesë e politikës e më tutje, të punojë për demokracinë”, tha Mesiç.

Berisha u godit me grusht nga 31-vjeçari Gerti Shehu, për të cilin më vonë u deklarua se ka probleme të shëndetit mendor, ndonëse nga lideri demokrat u hodhën akuza për skenar të përgatitur nga Edi Rama.