Kryesore “Një ditë do bëj diçka dhe do bëhem i famshëm”. Fqinjët dhe...

“Një ditë do bëj diçka dhe do bëhem i famshëm”. Fqinjët dhe miqtë tregojnë jetën e Gert Shehut, djalit që nuk trazonte njeri

Në lagjen e autorit të sulmit fizik ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit. 31-vjecari, që jetonte mes thirrjeve për besim dhe tregtarëve që shesin rroba të përdorura në rrugën “Shyqyri Ishmi” në Tiranë, nuk njihej si problematik, as si sulmues individësh

‘Quhem Gerti dhe nuk kam për të thënë asgjë tjetër”. Në përpjekjet për të mësuar e për t’u bindur nëse 31-vjeçari nga Tirana e goditi ish-kryeministrin Sali Berisha për shkak të problemeve mendore, apo është shtyrë nga dikush tjetër, komisariati numër 1 ka tentuar disa herë që të shkëpusë prej tij një deklaratë.

Por kjo ka qenë e pamundur. Gati në kufijtë e një dështimi. I filmuar teksa qëllon me grusht ish-kryeministrin Sali Berisha, ai thotë se do flasë në një moment tjetër.

Në këto kushte, siç bëjnë me dije burime të policisë pranë Gazetasi.al, çështja për Gert Shehun,  banues në rrugën “Shyqyri Ishmi”, është marrë nga Drejtoria Qendrore e Tiranës.

Hetimet

Mes dhjetëra veprimeve të kryera gjatë orëve të pasdites së të martës dhe të mërkurës, agjentët janë urdhëruar të kontaktojnë me këdo që e njeh të riun e prangosur, kontaktet e tij dhe deri më tani po vrojtohet çdo lëvizje e tij e para dhjetë ditëve më parë.

“Nuk mund të themi nëse i dyshuari është shtyrë nga dikush apo ky është një veprim tërësisht i tij”, – deklaron në kushtet e anonimitetit një nga anëtarët e grupit të hetimit në selinë e policisë vendore.

Sipas tij, deri më tani agjentët raportojnë se Gert Shehu nuk njihej si problematik, as si sulmues individësh.

“Kjo është dilema që na bind se dikush mund ta ketë inspiruar dhe të ketë përdorur natyrën e tij introverte”, tha zyrtari, sipas të cilit fakti që i riu ishte i mbyllur dhe nuk krijonte incidente, do të thotë se ky shpërthim i beftë ndaj një politikani dhe në një protestë, mund të ketë shtyrës të panjohur.

Por nga ana tjetër, fakti që Gert Shehu është një shtetas i skeduar në fushën e narkotikëve për ngjarje të mëhershme, e rëndon situatën e tij.

Ashtu siç edhe një shkresë e shpërndarë nga e ëma, në të cilën vërtetohet se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Çfarë ndodh në lagjen e tij

I rritur në katin e parë të një pallati të vjetër, në të cilin hyrja është përmes një porte gri, 31-vjeçari njihet në lagje si një djalë që nuk trazonte askënd.

“Kaloi dje dhe më tha: ‘O xhaxh, do më japësh një cigare’”,- shprehet njëri nga banorët që e kujton djalin si të mbyllur.

Të tjerët që rrinin me të poshtë pemëve në disa karrige, janë bashkëmoshatarë me të.

“S’ka mundësi që Gerti ta ketë bërë këtë gjë i porositur nga dikush, kushedi çka bluar në kokë”, – thotë njëri nga  shokët e tij.

I bindur se shoku i tij jetonte në kushte aspak të mira ekonomike, i riu kujton se Gerti nuk ishte as trafikant dhe as shpërndarës droge.

“Lexon kështu nëpër portale që Gerti ishte kështu e ashtu. S’janë të vërteta. Gerti ishte një djalë i drejtë, nuk ngatërrohej me askënd. Jetonte e vishej me rroba të përdorura. Ishte i ndershëm dhe as i skeduar dhe as informator policie. Ç’janë këto që thoni?”, –  dëshmon për Gazetasi.al një tjetër i njohur i të arrestuarit që po hetohet nga policia për goditje për shkak të detyrës.

I riu këmbëngul se shoku i tij ishte braktisur, punonte si shpërndarës me motor  dhe ishte i varfër.

“Nuk vidhte, nuk përzihej, ndonjëherë e vinin në lojë, por është e dhimbshme çfarë ka ndodhur me të”, – tregon një nga gratë në lagje.

Mes bullizmit dhe ilaçeve

Në fakt, 31-vjeçari jetonte mes zërit të imamit që fton besimtarët në falje dhe zërit të shitësve që thërrasin “u hap thesi për rroba”.

Banorët tregojnë se i ati ishte larguar në SHBA dhe ai ishte fëmijë i vetëm. E ëma inxhiniere ndërtimi, mundohej të nxirrte të ardhurat për të jetuar e po kështu për të garantuar ilaçe për të birin.

Gazetasi.al u përpoq të kontaktonte me nënën e të arrestuarit, e cila nuk u përgjigj në telefon.

“Një ditë më tha që do bëj diçka për t’u bërë i famshëm. Nuk e kuptova, por rrinte i menduar, shkonte në xhami punonte, ndonjëherë këta gringot me lekë talleshin me të, por ai, i mbyllur siç, ishte iu përgjigjej, disa e xhironin kur fliste. Kishte probleme, por kurrë s’kam pasur frikë prej tij”, – thotë për Gazetasi.al një grua që e njeh fare mirë familjen e tij.

Sipas saj, sulmi që kreu Gerti nuk është asgjë tjetër, veçse veprim i një djali që vuante nga probleme të shëndetit mendor, por mbi të gjitha të një të riu që punonte, bullizohej nga të tjerët përmes videove dhe nuk ia kishte dalë që të mbijetonte si bashkëmoshatarët e tij.

“A ka mundësi që dikush ta ketë përdorur”, – e pyeti Gazetasi.al? Ai nuk pinte alkool, nuk ishte i dhunshëm, ndoshta ndonjë i ka folur shpesh dhe ai ka vendosur befas të bëjë këtë veprim, duke sulmuar liderin e demokratëve”./Burimi: Gazeta Si