Ish-kryeministri Sali Berisha i bën thirrje socialistëve të largojnë sa më parë kryeministrin Edi Rama.
“U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre dhe të Shqipërisë të largojnë me urgjencë Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti. Pasi e them absolutisht me bindjen më të thellë se urrejtja ndaj Edi Ramës bëhet çdo ditë më e pakufijshme. Ata duhet ta dinë se unë kam konstatuar më 16 dhe dje në masa të gjera protestuese atë urrejtje që e kam takuar vetëm në vitin 1990-1991 ndaj diktatorëve dhe diktaturës. Në këto kushte u bëj thirrje socialistëve mos nënvlerësoni situatën sepse në mënyrë absolute ndëshkimi mbarëpopullor për Edi Ramën po afron dhe do të jetë i sigurt dhe tepër i rëndë. Ky është një revolucion i filluar nga studentët, duhet ta pranoj. Çdo javë e Edi Ramës në pushtet është rrezik kombëtar.
Dorëzimi i mandatit në Shqipëri është për diçka të jashtëzakonshme. Është i diktuar nga rrethana të jashtëzakonshme. Vlimi tek qytetarët është i jashtëzakonshëm. Është mirë të largohet përpara se ta largojnë në mënyrë që ai s’e imagjinon dot. Pastaj te lë të shpërndajë 1 mijë video që Sali Berisha mori pushtetin me dhunë. Unë jam pa pushtet. Edi Ramën do ta përzënë në mënyrë të paimagjinueshme. Ka 6 vite që shet gënjeshtra nga mëngjesi deri në darkë. Tani ik!“, është shprehur sot Sali Berisha në një deklaratë për mediat një ditë pasi opozita dorëzoi mandatet e deputetëve.
Berisha ishte sot paradite për të parë ekspozitën e piktorit shqiptar Avni Delvina.