Tentativën e Flamur Nokës për t’i vënë flakën karrigeve në sallën e Kuvendit, Sali Berisha e argumentoi si shprehje të mosbindjes civile kundër mazhorancës socialiste.
Një ditë pas seancës plenare ku tensionet u përshkallëzuan, lideri i Rithemelimit amnistoi veprimet e sekretarit të Përgjithshëm, duke i konsideruar si të drejta në kauzën e demokratëve.
“Mosbindja civile në Parlament është mënyra se si opozita po i përgjigjet grushtit të shtetit brenda shtetit nga puçisti Edi Rama.”
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ekziston një revoltë e madhe brenda strukturave të Rithemelimit kundër qeverisë.
Ai u shpreh se simpatizantët e opozitës janë të gatshëm të fillojnë mosbindjen civile në momentin kur t’u jepet sinjali.
Megjithatë ai nuk foli për një datë konkrete, apo për mbajtjen e protestave.
“Dy momente mund të theksoj. Së pari, është një bindje universale se në Shqipëri është instaluar diktatura dhe Shqipëria po jeton në kushtet e grushtit të shtetit brenda shtetit, të bërë nga Edi Rama duke marrë pushtetet parlamentit. Ky është grusht shteti brenda shtetit.
Së dyti, ka një revoltë të madhe dhe strukturat janë të gatshme kur t’u jepet sinjali për të filluar. Se kur, kjo do përcaktohet nga organet. Nuk mund të them se do lihet pas festës apo para festave, por një gjë është e sigurt, ju do e mësoni në kohën më të parë kur shpallet”, tha Berisha.
Sali Berisha pati edhe një koment për qëndrimin e Taulant Ballës pas përfundimit të seancës plenare, ku ministri i Brendshëm kërkoi nga Prokuroria të veprojë penalisht ndaj deputetit opozitar.
“Asgjë nuk e dekurajon opozitën, Taulant Balla është simboli i krimit në qeveri. Është përfaqësuesi më i shëmtuar i grupeve më të rrezikshme kriminale të Shqipërisë me dokumente.”
Seanca e radhës parlamentare është parashikuar për këtë të enjte ku opozita ka njoftuar për një reagim edhe më të fortë të mosbindjes civile, ndërsa mazhoranca planifikon të miratojë nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të vitit të ardhshëm.