Ish-kryeministri Sali Berisha bëri me dije gjatë takimit që zhvilloi me demokratët e Beratit që javën e ardhshme do të shpallet data e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Pasi u pyet nga sipatizantët, Berisha shpjegoi se si mblidhet Kuvendi. Sipas statutit përcaktohet që Kuvendi të thirret nga Këshilli Kombëtar, por nëse një e katërta e delegatëve voton për mbledhjen, atëherë atyre iu njihet e drejta edhe nëse do ose jo kryetari i partisë apo Këshilli Kombëtar.
“Statuti përcakton që Kuvendi thirret nga Kryesia, Këshilli Kombëtar. Statuti thotë që kuvendi mblidhet edhe nga 1 e 4 e delegatëve. Çka do të thotë delegatëve u njihet e drejta pavarësisht nëse do apo jo Kryetari apo Këshilli Kombëtar. Ju garantoj se javën që vjen do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit dhe do të mblidhemi të sigurtë”, tha Berisha.
Propozimi i PD për Vettingun e politikanëve, Berisha: Basha, skllav i Ramës
Propozimin e PD-së për Vettingun e politikanëve dërguar së fundmi në parlament, Sali Berisha e konsideron si një akt të turpshëm. Ish-kryeministri deklaroi nga Berati se ai amendament është dërguar nga Rama nëpërmjet Bashës në mënyrë që SPAK-u t’i bëjë Vettingun deputetëve.
Berisha tha se në mënyrë që të bësh një propozim të tillë, duhet të jesh “skllav” i kryeministrit Edi Rama pasi “nuk dorëzohet legjislativi tek prokuroria politike“. Ndër të tjera, Berisha tha se nuk është kundër Vettingut të politikanëve, pasi e mbështet atë, por sipas tij duhet të bëhet në mënyrë transparente.
“Akti më i turpshëm që kalon çdo imagjinatë të një njeriu të lirë është amendamenti që dërgon Edi Rama nëpërmjet tij në parlament që SPAK të bëjë Vettingun e deputetëve. Vettingu i politikanëve është i domosdoshëm, e kam mbështetur dhe e mbështes plotësisht, por jo mbi rregulla policeske që mund ta përdorë kush për të marrë peng deputetët, por mbi rregulla transparente. Ne bëmë një ligj, Komisioni i Venecias e përmbysi. Përmbysi Vettingun? Jo. Vettingu bëhet dhe bëhet në mënyrën më transparente, shto në formularin e deputetit të gjitha problemet, krijo Komisionin e Etikës. Në shumicën e parlamenteve janë Komisionet e Etikeve që i thonë deputetëve që shko në gjykatë se ke bërë shkelje. Nuk dorëzohet legjislativi tek prokuroria politike. Për prokurorinë kemi bërë një gjë të madhe në 2012. Kemi hequr imunitetin për korrupsionin. I keni të gjitha mekanizmat. Se si mundet një forcë politike që e quan veten demokratike, të propozojë që të vendosë SPAK i Edi Ramës për mandatet e deputetëve duhet të jesh skllav dhe super skllav i tij që të bësh një propozim të tillë”, tha Berisha.