I drejtë apo i gabuar vendimi i opozitës për të djegur mandatet, Sali Berisha thotë se kishte kosto. Megjithatë, ish-Kryeministri shprehet i bindur se këtë vendim nuk e ka marrë ai, por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sali Berisha deklaroi se kur u mor ky vendim, e ka pohuar edhe publikisht që mund t’i jepte fitoren PD-së, por mund ta rrëzonte edhe në greminë.
Sipas Sali Berishës, Partia Demokratike në këtë moment nuk është as në greminë dhe as në fitore.
“Mos presësh kurrë që unë të luaj rol të fortë në vendime të rëndësishme, do dilja jashtë karakterit tim nëse do bëja një gjë të tillë. Ai (Lulzim Basha) duhet t’i dalë zot vendimit. Po më pyet, kam mendimin tim. Unë e kam mbështetur këtë, sikundër kam thënë ky vendim mund ta çojë në fitore, sikundër mund ta çojë në greminë, në vetëvrasje. Nuk jemi as në fitore as në greminë, jemi në një moment qetësie para një rrebeshi të fuqishëm”, tha Sali Berisha.
Blendi Fevziu: A mendoni që opozita ka gabuar që dogji mandatet?
Sali Berisha: E para, jam i vetëdijshëm që ndërkombëtarët nuk mund ta mbështesin këtë gjë. Nuk mund të kërkosh dhe të presësh prej tyre atë që ata s’mund ta bëjnë. Por ka një gjë. Opozita duhet të paraqesë përpara ndërkombëtarëve të gjithë gjendjen dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe problemin e votës me Edi Ramën.
Blendi Fevziu: Ja ka arritur kësaj?
Sali Berisha: Pjesërisht, jo plotësisht!
Blendi Fevziu: Pra, ka qenë i gabuar vendimi i djegies së mandateve? A i dha më shumë kosto opozitës?
Sali Berisha: Po, pa diskutim! Nuk them që s’ka patur.
Blendi Fevziu: Po roli juaj personal në këtë vendim, ka qenë i fortë z.Berisha? Apo keni qenë abstent?
Sali Berisha: Absolutisht jo i fortë. Mos presësh kurrë që unë të luaj rol të fortë në vendime të rëndësishme. Jam i tërhequr. Do të dilja jashtë të gjithë karakterit tim në qoftë se do bëja një gjë të tillë. Ai duhet t’i dalë zot vendimit, ai ka përgjegjësi, ai ka që të gjitha. Unë i kam lënë përgjegjësit e mia. Nuk mundet kurrë që unë t’i lejoj vetes një gjë të tillë. Po më pyet, jap mendimin tim.
Blendi Fevziu: Dhe cili ishte mendimi juaj?
Sali Berisha: E kam mbështetur këtë, sikundër kam theksuar që ky vendim mund ta çojë në fitore por mund ta çojë dhe në greminë, në vetëvrasje. Unë i kam thënë këto.
Blendi Fevziu: Dhe në këtë moment ku ndodheni?
Sali Berisha: Nuk jemi as në fitore, as në greminë. Jemi në betejë e sipër. Jemi në një moment qetësie para një rrebeshi të fuqishëm.