Kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij Sali Berisha u përplasën ashpër sot në Kuvend, teksa nuk munguan fyerjet dhe sharjet me “libër shtëpie” midis tyre.
Tensionimi erdhi pasi Rama e provokoi Berishën me një pyetje që ka të bëjë me raportin që ky i fundit ka me drejtësinë dhe SHBA-të, duke nënkuptuar se Sali Berisha nuk mund të shkojë më në Amerikë.
Pyetjes së Ramës “Sali a e kalon dot oqeanin”, Berisha iu përgjigj duke i thënë “me SHBA dije mirë ti, kam arritur aty ku s’mund të arrish t’i kurrë Edi Rama”.
Berisha rezervoi edhe një tjetër përgjigje për sulmin direkt kur doli të prononcohej jashtë për mediat.
Ai ka thënë se nuk i është refuzuar asnjëherë viza nga SHBA, por thjesht ka zgjedhur të mos udhëtojë më në takime zyrtare jashtë shtetit, që prej kohës kur u dorëhoq nga PD.
Menjëherë pas këtij diskutimi, portali “TiranaPost” kontaktoi me një e-mail ambasadën Amerikane në Tiranë, ku i bëri pyetjen: “A e konfirmon ambasada lajmin se Berisha nuk ka marrë vizë amerikane?”.
Ambasada është përgjigjur në mënyrë lakonike: “Është politikë e Shteteve të Bashkuara që raste individuale vizash nuk mund të komentohen”.
Kështu ambasada amerikane nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka përgënjeshtruar lajmin.