Gjermania do të furnizojë me tanke Leopard Ukrainën. Të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur furnizimin e tankeve të tipit Leopard 2 në Ukrainë në një takim të kabinetit qeveritar, sipas zëdhënësit të tij. Në një “hap të parë” do të dërgohen 14 tanke Leopard nga rezervat e Bundesëehrit.
Qëllimi është që bashkë me partnerët e tjerë “shpejt të grumbullohen dy batalione tankesh me tanket e tipit Leopard 2 për Ukrainën”. Së bashku do të dërgoheshin 90 tanke. Scholz ka thënë se, se ky vendim është “rezultat i këshillimeve intensive që janë zhvilluar me partnerët më të ngushtë europianë dhe ndërkombëtarë të Gjermanisë”. Sipas kancelarit gjerman, “ky vendim ndjek vijën e njohur politike gjermane për të mbështetur me të gjitha fuqitë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të kancelarit gjerman. Për Scholz ka pasur rëndësi që të merrte pjesë në këtë proces edhe partneri më i rëndësishëm i NATO-s, SHBA.
Të martën ishte revista “Der Spiegel” që shkruante, pa cituar burime, se dërgesa gjermane do të jetë të paktën një kompani e tankeve Leopard 2A6. Kurse koncerni gjerman i armatimit Rheinmetall bëri të ditur se mund të dorëzojë 139 tanke Leopard në Ukrainë, deri në fillim të vitit 2024. Qeveria federale do të japë gjithashtu leje për të eksportuar tanke të tillë që janë në zotërim të shteteve të tjera si Polonia. Aleatët e tjerë – ndër të tjera nga Skandinavia – gjithashtu duan t’i sigurojnë Kievit tanke luftarake të tipit Leopard 2. Një zëdhënës i qeverisë kishte konfirmuar më herët marrjen e një kërkese për ta bërë këtë nga Polonia. Kontratat e eksportit parashikojnë që Gjermania duhet së pari të pajtohet për një eksport të tillë drejt vendeve të treta.
SHBA konsideron dërgimin e tankeve kryesore të betejës Abrams
Në të njëjtën kohë, burime të qeverisë amerikane kanë treguar se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë përfundimisht tanket luftarake Abrams në Ukrainë. Më parë kancelari gjerman Olaf Scholz ishte shprehur, se ai dëshironte absolutisht një qasje të koordinuar ngushtë transatlantike për dërgimin e një kategorie të re armësh, siç janë tanket e betejës.
Kremlini: Tanket Abrams në Ukrainë do të digjen si gjithë të tjerët
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë konferencës së zakonshme të ditës me gazetarët ka drejtuar gishtin ndaj tankeve Abrams që Biden do të dërgojë në Kiev, duke pohuar se “do të digjen në të njëjtën mënyrë si të tjerët”.