Nën protestat e opozitës dhe tensione u shoqërua zhvillimi i mbledhjes së konstituimit të këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, qytetit bastionit të demokratëve. Socialistët e zhvendosën mbledhjen nga salla e Rektoratit te biblioteka e Universitetit pas deklaratave të forta të PD-së, se kjo ishte një provokim pasi po synohet të mbahet mbledhja në godinën e dikurshme të PPSH-së, ku 30 vite më parë, më 2 prill 1991 u vranë katër dëshmorët e demokracisë.
Forca të shumta policore kishte rrethuar zonën ku do të zhvillohej mbledhja e parë e këshillit bashkiak, i cili dominohet nga e majta, ku nga 51 këshilltar, 40 i përkasin Partisë Socialiste, 9 Partisë Socialdemokrate, 1 Partisë Socialiste të Moderuar dhe 1 i Partisë Demokracia Sociale.
Të gjitha këto parti si pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga PS-ja, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, pra asnjë parti opozitare nuk ka anëtarët në këtë këshill.
Forcat Speciale janë në gatishmëri prapa derës, në oborrin e brendshëm të godinës për të ndërhyrë në rast se situata do të precipitonte.
Fillimisht demokratët janë mbledhur për të protestuar përpara prefekturës (ish-bashkia e dikurshme) në ora 10:00 për të vazhduar më pas protestën në formë marshimi drejt vendit që do të zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak.
Në momentet e nisjes së mbledhjes dhe në pjesën kur nisi votimi për kryetarin e këshillit bashkiak ka pasur tension mes policisë dhe protestuesve, të cilët po kërkonin që çanin kordonin e krijuar nga uniformat blu.
Presioni për një kryekëshilltaren
Mbledhja është drejtuar fillimisht nga prefekti Çesk Millja, i cili ka dhënë arsyet e mbajtjes se pse e thirri këtë mbledhje, pasi sekretari i këshillit bashkiak refuzoi ta thirrte atë. Më pas mbledhja është drejtuar nga anëtarja e më e vjetër Dhurata Tyli. Në këtë mbledhje të parë, kanë qenë të pranishëm, deputetët e qarkut të Shkodrës, ku binte në sy deputeti i PSD-së, Tom Doshi, deputetja socialiste Senida Mesi, zëvendësministrja Rovena Voda, si përfaqësuese e qeverisë. Në këtë mbledhje të parë mungonte deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i cili më parë ka qenë drejtuesi politik i PS-së për qarkun më të madh të veriut.
Ai u zëvendësua nga Valdrin Pjetri, kryetari i bashkisë dha dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës, pas akuzave që PD-ja nxori për të si i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike në vitin 2003 në Itali.
Por edhe mes vetë socialistëve mësohet se ka pasur përplasje jo të vogla sa i takon caktimit të kryekëshilltarit. Në një mbledhje të zhvilluar një ditë më parë në selinë e PS-së, është kundërshtuar dalja me një kandidaturë të vetme për t’u votuar, duke kërkuar që të zbatohet ligji dhe të dalin me dy emra si alternativë. Gjithashtu është kontestuar edhe urdhri i dhënë nga selia qendrore e PS-së që të votohet emri i Brisela Kadisë. Sipas burimeve mësohet se deputetja socialiste, Senida Mesi ka deklaruar “kush nuk voton Briselda do te përjashtohet nga PS”. Ky urdhër duket se nuk i ka bindur në unison këshilltarët e majtë, pasi mori vetëm 47 vota pro dhe dy vota rezultuan të pavlefshme. Ndërsa këshilli ka vendosur që të ketë tre nënkryetar. Ata janë Arvid Osja, Tereze Brigja dhe Suada Selimaj.
“Ky këshill fillon punë në një situatë të pazakonte, ku disa parti kanë lënë jashtë votuesit e tyre. Do të punojmë për të gjithë. Kjo detyrë që më është besuar do të jem e drejtë dhe e paanshme ne të drejtë të ligjit për të shërbyer për Shkodrën dhe shkodranët” ka thënë ndër të tjera kryekëshilltarja Kadia.
Ndërsa bëri të ditur se kryetari i bashkisë Pjetri ka dhënë dorëheqjen dhe se do të veprohet në bazë të Kodit Zgjedhor.
Por në mbledhje nuk kanë munguar as tensioni, kjo pasi e pranishme ka qenë kryetarja e Këshillit të Qarkut, nënkryetarja e degës së PD-së, Greta Bardeli ka debatuar ashpër në ambientet e brendshme të bibliotekës me përfaqësuesit e maxhorancës.
“Kjo mbledhje është jolegjitime, antikushtetuese, do mbani përgjegjësi”, ka qenë thirrja e saj. Përpara se të braktiste kētë mbledhje që cilësohet ilegjitime, Bardeli deklaroi se anëtarët e të ashtuquajturit Këshill po konsumojnë disa vepra penale, pasi po tentojnë të ngrenë institucionet pa zgjedhje dhe në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës. Ajo deklaroi se të gjithë ata që e kanë arkitektuar mbledhjen-farsë të ditës së sotme shumë shpejt do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale.
Sulmohet Tom Doshi dhe këshilltarët e PS-së
Pas mbylljes së mbledhjes me zgjedhjen edhe të anëtarëve të këshillit të qarkut, situata është tensionuar më tepër. Sapo dolën nga dera e godinës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, protestuesit i ndoqën pas për disa kilometra grupin e këshilltarëve të majtë, të cilët morën drejtimin për nga selia PS-së. Në disa momente policia u përpoq t’i ndalonte dhe kjo krijoi dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Militantët e PD-së, sulmuan me shishe uji dhe deputetin e PSD-së, Tom Doshi, i cili ishte e rrethuar nga disa prej rojeve personale. Me thirrjet “Turp! Turp!” protestuesit ndoqën nga pas këshilltarët bashkiakë por edhe të deleguarit nga Tirana të cilët morën pjesë në këtë ceremoni. Ky ka qenë momenti më kulmor i protestës ku nuk munguan as përplasjet fizike mes protestuesve dhe uniformave blu. Shishe me ujë fluturonin në drejtim të këshilltarëve socialistë dhe deputetit të Shkodrës.
Voltana Ademi: Unë kryebashkiake, farsa do të zhbëhet
Për dy orët e protestës dhe deri në përfundim të mbledhjes kryebashkiakja Voltana Ademi ka preferuar që të qëndrojë në zyrë e saj në bashki. Një pjesë e protestuesve kanë shkuar menjëherë në bashki, së bashku me një pjesë e ish-deputetëve demokratë. Në zyrë ka qenë edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Në një dalje publike, Ademi deklaroi se ajo do të vazhdojë që të kryetarja e bashkisë së Shkodrës, dhe se kjo mbledhje ishin pjesë e asaj farse që do zhbëhet. “Ajo që ka ndodhur sot në Shkodër do të zhbëhet. Ne kurrsesi nuk mund të lejojmë që një uzurpator të uzurpojë qytetin dhe Shqipërinë. Për këtë e kanë meritën vetëm njerëzit. Ne do të vazhdojmë të gjithë bashkë ta duam qytetin, ta mbrojmë qytetin. Unë do të kem detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e bashkisë Shkodër deri në momentin sa më të shpejtë për të gjithë ne, jo vetëm për Shkodrën po për gjithë Shqipërinë ku ne shqiptarët ne shkodranët të sigurojmë zgjedhje të vërteta dhe të rregullta. Ku të gjithë mund të zgjedhin të lirë, jo vetëm për kryetarin e bashkisë, por edhe për këshillin bashkiak. Përpjeka jonë vazhdon”, deklaroi Ademi.
Ajo theksoi se kjo është një betejë që do të vazhdojë, është një betejë jo e lehtë, por ne kemi popullin. Nuk mundet askush të vendosë në emrin e tyre. Duhet të vazhdojmë bashkë për ta bërë këtë të mundur.