Sport Beteja për titullin e F1/ Hamilton dhe Mercedes në avantazh

Beteja për titullin e F1/ Hamilton dhe Mercedes në avantazh

Për 4 ditë me radhë një grup xhirimi i Netfliks, ndoqi kampionët e botës në Formula 1 për të mbledhur material për episodin e ardhshëm të dokumentarëve por zhvillimet e fundit furnizuan platformën me pagesë, me aq material sa për një sezon të tërë.

Ljuis Hemilton dhe Valteri Botas dështuan në ndalesën që skuadra e shtëpisë kishte detyrimin moral për ta fituar, por edhe në humbje, duket se gjermanët kanë gjetur avantazhin.

Kur duhen ende 10 gara nga fundi i botërorit, Ljuis Hemilton kryeson me 225 pikë ndërsa në vendin e dytë është shoku i tij i skuadrës Valteri Botas me 184 pikë. I treti por jo më i parëndësishmi, Verstapen që fitoi garën elektrizuese të fundjavës në Hokenhajm.

Maksi i Çmendur sic e quajnë me të drejtë tifozët, mund të rezultojë vendimtar në betejën për titullin e pilotëve.

Mercedes e kishte fokusuar fundjavën gjermane të Formula 1 për të festuar 125 vjetorin e përfshirjes në garat me makina, por shkatërroi gjithçka, që vë në diskutim titullin.

Nëse për konstruktorët gara është thuajse e mbyllur, me 409 pikë në total kur ndjekësit janë me 261, fokusi tashmë duhet te pilotët. Gara e radhës e Formula 1 do të zhvillohet në 4 Gusht në Hungari.