Presidenti Ilir Meta reagoi lidhur me amendamentet ligjore të mazhorancës, përmes të cilave ajo synon të krijoje një mekanizëm zhbllokues për rastet kur Presidenti refuzon të zhvillojë ceremoninë e betimit për njerëzit e drejtësisë.
Pasi doli nga Prokuroria e Tiranës dhe u pyet për këtë çështje, Meta u përgjigj: “Presidenti i Republikës është me mision dhe nuk provokohet nga cic-mice të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë më të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar Presidentin dhe popullin e Shqipërisë për t’u marrë me çështje të tjera, ta ketë të qartë se Presidenti e di mirë detyrën e tij dhe është i ndërgjegjshëm për misionin e tij”.