Bota Biden fiton zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut: Do ta mund përsëri...

Biden fiton zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut: Do ta mund përsëri Trumpin

Presidenti amerikan, Joe Biden triumfoi në zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut, një fitore e pritur gjerësisht, por që falë shumicës shumë të madhe, e projekton presidentin drejtpërdrejt drejt nominimit dhe, sipas të gjitha gjasave, një sfidë të re kundër Donald Trump në votimin e nëntorit.

”Qytetarët e Karolinës së Jugut kanë folur dhe nuk kam asnjë dyshim se na kanë vënë në rrugën për të fituar sërish presidencën dhe për të mposhtur Donald Trump edhe një herë”, tha Biden duke falënderuar veçanërisht elektoratin afro-amerikan, i cili në vitin 2020 ishte vendimtar për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

”Aksionet në këto zgjedhje nuk mund të jenë më të larta se sa kaq”, nënvizoi Biden.

”Ka zëra ekstremistë dhe të rrezikshëm që vendi të udhëhiqet nga Donald Trump dhe zëra të vendosur për të ndarë kombin tonë dhe për të na çuar prapa. Ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në katër vitet e fundit, me Amerikën që ka tani ekonominë më të fortë në botë dhe inflacionin më të ulët nga çdo ekonomi e madhe. Le të vazhdojmë të ecim përpara. Le të përfundojmë atë që kemi filluar, së bashku”, këmbënguli presidenti.

Testi i zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut, i cili jo çuditërisht këtë vit u preferua ndaj New Hampshire si shteti i parë që priti zgjedhjet e demokratëve, i shërbeu gjithashtu fushatës së Biden për të testuar apelin e presidentit mes elektoratit me ngjyrë.

Pas muajsh sondazhesh që tregojnë një përqindje në rritje të votuesve me ngjyrë të zhgënjyer me administratën, këto zgjedhje paraprake ishin si një lehtësim në fushatë.

Ndalesa e radhës për demokratët do të jetë 6 shkurti në Nevada, ku dy ditë më vonë do të përballen kandidatët republikanë, Trump dhe Nikki Haley.

Më 5 mars do të votojnë 16 shtete, përfshirë Alabaman, Kalifornian, Koloradon, Teksasin, Minesotan, Massachusettsin, Virxhinian dhe Karolinën e Veriut.