Aktualitet Aksident i rëndë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, një viktimë dhe katër të...

Aksident i rëndë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, një viktimë dhe katër të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor “Bilisht-Korçë” në afërsi të fshatit Belorta.

Policia njofton se makina tip “Hyundai” me drejtues 23-vjeçarin me iniciale K.H., është përplasur me makinën “Volkswagen” me shofer 36-vjeçarin Elvis Mizaku.

Viktima është Elvis Mizaku, 36 vjeç, nga fshati Rov i bashkisë së Maliqit, ndërkohë që janë dëmtuar 4 pasagjerë të automjetit tjetër tip “Hyundai”, qytetaret me iniciale B. P., D. P., Dh. P. dhe shtetasi A. P., të cilët ndodhen në spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.

Dy automjetet janë përplasur kokë më kokë, të cilët po lëvizin në kahe të kundërta. Sipas policisë rrugore, njëri nga mjetet ka kryer një manovër të gabuar duke sjellë dhe përplasjen kokë me kokë.

Segmenti rrugor nga Dishnica deri në Plasë mbetet burim aksidentesh, madje dhe me viktima, e gjithë kjo vjen për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore dhe ndriçimit në kryqëzimet e këtij segmenti që e për policinë janë “njolla të zeza”.

Me drejtuesin e automjetit tip “Hyundai” po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.