Presidenti amerikan, Joe Biden, në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në Nju Jork, ka dënuar veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Ai e quajti luftën në Ukrainë “brutale dhe të panevojshme”.
Ai akuzoi Rusinë për pushtimin e vendit fqinj, duke shtuar se “Moska ka shkelur paturpësisht parimet thelbësore të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë thotë se Vladimir Putin është përpjekur “të fshijë nga harta një shtet sovran”.
Ndërsa planin e Rusisë për të organizuar referendume në disa rajone të Ukrainës për t’ju bashkuar Moskës, i konsideron të rreme.
“Putin pretendon se duhej të vepronte sepse Rusia ishte e kërcënuar. Por askush nuk e kërcënoi Rusinë dhe askush tjetër përveç Rusisë nuk kërkoi konflikt”, u shpreh Presidenti amerikan.
Joe Biden dënoi edhe kërcënimet e Presidentit të Rusisë kundër Europës me konflikte bërthamore, ndërsa për luftën në Ukrainë tha se Moska kërkon që Ukraina të mos ekzistojë si shtet dhe si popull.
Presidenti amerikan u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që të riangazhohen për të mos lejuar përhapjen e armëve bërthamore.
“Pavarësisht se çfarë po ndodh në botë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin masa kritike për kontrollin e armatimeve. Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet që të luftohet kurrë”, deklaroi Presidenti amerikan Joe Biden.