Vladimir Putin e ka humbur tashmë luftën në Ukrainë. Kështu u shpreh presidenti amerikan Joe Biden në konferencën për shtyp në Helsinki me presidentin finlandez Sauli Niinisto pas samitit me liderët nordikë, ndërsa shprehu shpresën se kundërofensiva e Kievit do ta detyrojë Moskën të ulet në tryezën e bisedimeve.
“Rusia nuk mund ta vazhdojë luftën në Ukrainë për vite me radhë dhe Putini herët a vonë do të vendosë se nuk është në interesin e Rusisë ta vazhdojë atë. Kundërofensiva e Ukrainës ndoshta do ta shtyjë Rusinë drejt negociatave. Ukraina do të anëtarësohet në NATO”, siguroi më pas Biden.
Presidenti amerikan minimizoi kërcënimet e Putinit nga Helsinki, duke deklaruar se ai nuk sheh “perspektiva reale” të përdorimit të armëve bërthamore nga Kremlini.
Ievgheny Prigozhin, kreu i mercenarëve Wagner, “duhet të ketë kujdes se çfarë ha”, përfundoi presidenti amerikan, duke aluduar për rrezikun e helmimit pas revoltës së dështuar të Prigozhinit.
Biden shfrytëzoi gjithashtu vizitën në Finlandë, anëtaren më të re të NATO-s, për t’u zotuar se Ukraina një ditë do t’i bashkohet aleancës, pavarësisht se liderët e NATO-s nuk i dhanë një afat kohor Kievit në samitin e kësaj jave në Vilnius.
Udhëheqësit e NATO-s shkatërruan shpresat e liderit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një afat kohor të qartë për anëtarësim në aleancën ushtarake, duke thënë në samitin e kësaj jave në Vilnius.
Por, edhe pse Biden tha se asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i NATO-s përderisa është në luftë, ai u zotua se Kievi një ditë do t’i bashkohet aleancës.
Nga ana tjetër presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se “anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të krijonte një kërcënim për sigurinë e Rusisë”.