Bota Biden paralajmëron Moskën për armët bërthamore: Mos i përdorni. Përgjigjja do të...

Biden paralajmëron Moskën për armët bërthamore: Mos i përdorni. Përgjigjja do të jetë e rëndë

Presidenti amerikan Joe Biden i jep një paralajmërim të fuqishëm Moskës që të mos përdorë armë të shkatërrimit në masë në Ukrainë.

“Thjeshtë mos e bëj. Kjo do ta ndryshonte panoramën e luftës, ndryshe nga gjithçka që është parë që prej Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Biden në një intervistë për emisionin “60 Minutes”.

Megjithatë presidenti Biden nuk hyri në detaje se cila mund të jetë përgjigja amerikane, nëse Rusia do ta tejkalonte atë kufi. “Ju mendoni se do t’ju tregoja ju nëse do ta dija kundërpërgjigjen e saktë? Sigurisht që nuk do e zbuloja. Por do jetë me shumë pasoja”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Paralajmërimi i Biden në intervistën për CBS vjen në një moment, kur rrjedha e luftës në Ukrainë ka ndryshuar me rimarrjen nën kontroll nga ukrainasit të rajonit të Harkivit. Por për presidentin rus Vladimir Putin, Moska nuk e ka me ngut në Ukrainë dhe se objektivi mbetet i njëjtë.

Sakaq, në rrethinat e Iziumit, ukrainasit kanë nisur të nxjerrin trupat e viktimave nga varret masive për të bërë ekzaminimin e tyre, pas dyshimeve se rusët e larguar prej andej, kanë kryer krime lufte.

Presidenti amerikan paralajmëron ndër të tjera se nëse Kremlini do të vendoste të përdorte armë kimike apo bërthamore, përbuzja ndaj Rusisë do të bëhej edhe më e madhe në të gjithë botën. Në intervistë, Biden foli edhe për një sërë çështjesh të tjera, përfshirë zgjedhjet afatmesme, ndërsa premtoi se është afër gjetjes së një zgjidhjeje për krizën me punonjësit e hekurudhave për t’i dhënë fund grevës së tyre.

Armët bërthamore ekzistojnë tashmë prej 80 vitesh dhe shumë shtete i shohin ato si mbrojtje për sigurinë e tyre kombëtare. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia vlerësohet se ka rreth 5977 predha bërthamore. Armët bërthamore taktike, janë armë bërthamore me rreze të shkurtër, ndryshe nga ato “strategjike” që mund të godasin objektivin në një distancë të madhe dhe të shkaktojnë edhe më shumë dëme.

Edhe pse mundësia e përdorimit të tyre është e paktë, humbje e raportuara në ditët e fundit nga Rusia kanë ngritur alarmin se Putin mund të tundohet t’i përdorë. Ukraina pretendon se ka rifituar më shumë se 8000 kilometra katrorë territor në verilindje të vendit.