Presidenti amerikan Joe Biden u zotua se do të vendosë Rusinë para përgjegjësisë, pas 4 vitesh trajtimi të butë nga paraardhësi Donald Trump.
“Isha i qartë me Presidentin Putin. Nëse Rusia vazhdon të ndërhyjë në demokracinë tonë, do të ndërmarrim masa të tjera”, tha Biden.
Administrata Biden sanksionoi Rusinë për sulmet kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara, në përpjekjet për ndërhyrje në zgjedhje: “Qëndrimi im është ky: kur të jetë në interes të SHBA të bashkëpunojë me Rusinë, do ta bëjë. Nëse Rusia shkel interesat tona, do të përgjigjemi”.
“Nuk mund të lejojmë fuqitë e huaja të ndërhyjnë në procesin tonë demokratik me pandëshkueshmëri. Dhe unë i thashë atij (Putinit) se nëse del ajo që unë kam menduar mbi angazhimin e tyre në zgjedhjet tona, unë do të përgjigjem. Kur biseduam në fillim të kësaj jave, unë i thashë atij se brenda një kohe të shkurtër ne do të përgjigjemi me masa proporcionale sepse ne kemi arritur në përfundimin se ata (rusët) kanë ndërhyrë në zgjedhje dhe sulmi kibernetik ndaj kompanisë Solar Wind ishte i papërshtatshëm”, tha Presidenti Biden në fjalimin që mbajti të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Në total, Amerika sanksionoi 32 entitete dhe individë rusë, dëboi 10 diplomatë rusë dhe fajësoi zyrtarisht Rusinë për sulmin kibernetik ndaj agjencive federale dhe kompanive më të mëdha në vend.
Sanksionet zbuluan për herë të parë se një agjent rus, i cili kishte siguruar të dhëna të brendshme të sondazheve nga fushata e Trump ia kishte kaluar shërbimeve të inteligjencës rusë në 2016-n.
Sanksionet pritet të rrisin tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila ka premtuar se do të përgjigjet me veprime hakmarrëse.