Aktualitet Si do të jetë moti në fundjavë: Reshje në të gjithë vendin,...

Si do të jetë moti në fundjavë: Reshje në të gjithë vendin, kur vjen “kthesa”…

Moti i ftohtë dhe me reshje shiu do të jetë prezent në vendin tonë edhe përgjatë fundjavës. Meteorologia Adiola Bani nga MeteoAlb thotë për Abc se prej ditës së sotme vranësirat do të përfshijë të gjithë territorin e Shqipërisë ndërsa pasdite do të nisin reshjet e shiut kryesisht në jug të vendit. Pritet që të dielën të kemi një përmirësim të kushteve të motit.

“Nga pasditja e ditës së sotme do kemi shtim të vranësirave fillimisht në zonat jugore dhe gradualisht do përfshijnë të gjithë territorin e Shqipërisë. Reshjet e para i presim gjatë pasdites në jug të vendit. Gjatë mbrëmjes dhe natës reshjet do shtrihen të gjithë territorin duke bërë që edhe dita e shtunë dhe paraditja e ditës së diel të paraqiten nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm ku herë pas here do të jemi nën ndikimin e shtrëngatave.

Presim përmirësim të kushteve të motit vetëm pasditen e së dielës dhe paraditen e të hënës ku reshjet do të jenë të izoluara dhe të papërfillshme. Sa i përket temperaturave të ajrit, gjatë fundjavës vlerat ditore do të luhaten nga 2-3 gradë celsius mëngjesi në zonat malore ndërsa maksimumi parashikohet rreth vlerës 16 gradë celsius”, shprehet Adiola Bani.

Moti i ftohtë dhe me reshje shiu do të prekë edhe rajonin, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sa i përket kushteve të motit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut do jenë nën ndikimin e masave të paqëndrueshme që do sjellin reshje shiu dhe dëbore në zonat malore duke filluar sot në orët e vona të mbrëmjes dhe në vijim e shtuna dhe e diela do kenë vranësia të shpeshta me reshje. Nuk do mungojnë intervalet me kthjellime. Mëngjesi do luhatet në vlerën 3-4 gradë celcius ndërsa maksimumi parashikohet në vlerën 11-12 gradë celcius”, shprehet ajo.