Ndërsa 10 shtete amerikane po përjetojnë një rritje të rasteve të koronavirusit, Presidenti Joe Biden paralajmëroi të martën se “miliona amerikanë janë ende të pavaksinuar dhe të pambrojtur dhe, për shkak të kësaj, komunitetet e tyre janë në rrezik”.
Në thirrjen e tij më të fundit televizive për njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19, presidenti tha se varianti delta i virusit, i cili është më i transmetueshëm dhe potencialisht më i rrezikshëm, është tashmë përgjegjës për gjysmën e rasteve në shumë pjesë të vendit.
Në veçanti, shtetet Kansas dhe Misuri po raportojnë rritje dyshifrore të përqindjes së infeksioneve për shkak të variantit delta.
Për t’iu përgjigjur përhapjeve të mëtejshme të parashikuara mes të pavaksinuarve, Presidenti Biden tha se qeveria federale po mobilizon ekipet e përgjigjes ndaj valëve të COVID-19ës, të plotësuar me ekspertë nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe agjenci të tjera.
Këto ekipe do të ndihmojnë shtetet me “probleme të veçanta [për] parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen ndaj përhapjes së variantit delta mes njerëzve të pavaksinuar në komunitete me norma të ulëta vaksinimi”, tha Presidenti Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne nuk mund të përgëzojmë veten tani”, paralajmëroi presidenti.
Skeptikët ndaj vaksinave
Pak para se të fliste Presidenti Biden, udhëheqësi i republikanëve të opozitës në Senat, Mitch McConnell, tha në Kentucky, ku vetëm rreth 43% e banorëve janë inokuluar plotësisht, “nuk ka asnjë arsye të mirë për të mos u vaksinuar”.
Duke ia drejtuar komentet e tij skeptikëve të vaksinave, zoti McConnell tha se ndërsa vaksinat nuk garantojnë se dikush nuk do të infektohet nga COVID-19, “kjo pothuajse garanton se nuk do të vdisni nga sëmundja nëse e merrni”.
Hezitimi ndaj vaksinave, veçanërisht mes republikanëve, mendohet si shkaku pse administrata e Presidentit Biden nuk ia arriti qëllimit të saj që 70% e të rriturve amerikanë të ishin të paktën të vaksinuar pjesërisht kundër COVID-19 deri më 4 korrik.
Vetëm 45% e republikanëve kanë marrë dozën e tyre të parë, sipas një sondazhi të Washington Post-ABC News. Disa grupe të pakicave janë gjithashtu të vonuar në vaksinim.
Presidenti të martën tha se brenda pak ditësh do të ketë “160 milionë amerikanë të vaksinuar plotësisht, nga afërsisht 3 milionë kur morëm detyrën pesë muaj më parë”.
Sipas CDC-së, rreth 67% e amerikanëve kishin marrë një dozë të vaksinës ndaj COVID-19ës dhe 47% kishin marrë dy doza pak para festës së Ditës së Pavarësisë.
Ekziston një kontrast i fortë rajonal në përqindjet e vaksinimit. Në verilindje, më shumë se gjysma e të rriturve janë vaksinuar plotësisht.
Në të kundërt, shtetet e Jugut kanë rezultate të dobëta. Në Alabama, Arkansas, Louisiana dhe Mississippi, 35% ose më pak e të rriturve kanë marrë dozat e plota, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Megjithëse jo në të gjitha pjesët e Shteteve të Bashkuara, ekziston një kërkesë e dëshpëruar për këto doza në vendet e tjera.