Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, pësoi fraktura të vogla në këmbë, pasi rrëshqiti, ndërsa luante me një prej qenve të tij, dhe mbase do t’i duhet të mbathë një këpucë mbrojtëse për disa javë, raportoi mjeku i tij personal.
Incidenti ka ndodhur të shtunën, ka bërë të ditur zyra e Bidenit në një njoftim zyrtar dhe 78-vjeçari ka bërë një skanim me rreze X dhe CT si “masë sigurie” te ortopedi të dielën.
Mjekët fillimisht menduan se Biden kishte vetëm shtrembëruar kyçin e këmbës, por rekomanduan një ekzaminim më të detajuar.
“Kontrolli CT ka konfirmuar fraktura të vogla”, tha mjeku personal i Biden Kevin O’Connor në një deklaratë të veçantë të lëshuar nga zyra e Bidenit. “Ai ndoshta do të ketë nevojë për allçi në këmbë për disa javë”, shtoi O’Connor.
Në kohën e dëmtimit. Biden po luante me Majorin, një pastor gjerman i adoptuar nga familja e tij.
Qeni tjetër i shtëpisë është Champ, një tjetër pastor.
Donald Trump, i cili nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje dhe po konteston rezultatet në gjykatë, i uroi Bidenit shërim të shpejtë.
“Shërim të shpejtë!”, tha Trump në një postim në Twitter.
Pas fitores ndaj presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, Joe Biden do të jetë personi më i moshuar ndonjëherë që merr detyrën kur të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Shëndeti i tij ka të ngjarë të ndiqet nga afër si nga aleatët ashtu edhe nga kundërshtarët.