Analisti austriak, Florian Bieber, njëherësh bashkërendues i Grupit për Këshill Politik Evropian (BIEPAG), mendon se lidhur me Kosovën, jashtë skenës publike, prapa dyerve të mbyllura po bisedohet për ndryshimin e kufijve, për çka ekziston edhe përkrahja e disa vendeve perëndimore.
Për analistin austriak problemi më i madh është se po krijohet përshtypja sikur Gjermania është jashtë këtyre zhvillimeve, por thotë se nuk e di nëse ndonjëherë kanë ndodhur diku bisedime, “në të cilat nuk ka qenë e përfshirë Gjermania, e të cilat kanë mundur të sjellin një rezultat i pozitiv”.
Sipas Bieber, deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për një korrigjim të lehtë të kufijve dhe përmendja e Rusisë nga ai, flasin në favor të tezës për “bisedime të fshehta”.
Në anën tjetër ai paralajmëron se “ndryshimi i kufijve është një opsion i rrezikshëm, i cili më shumë hap probleme, sesa mbyll probleme”.
“Nuk e zgjidh as problemin e serbëve që do të mbesin të jetojnë në Kosovë, pas shkëmbimit të territoreve”, tha Bieber, për “FoNet”
Ai dyshon në gatishmërinë e Beogradit dhe Prishtinës për ta zgjidhur këtë problem.
“Nuk e kam fituar përshtypjen se në Beograd dhe në Prishtinë duan të zgjidhin këtë çështje. Beogradi, për shkak të BE-së, vetëm flet për një zgjidhje. Në të njëjtën kohë, për ta [udhëheqësit serbë] do të ishte ideale të mos gjejnë zgjidhje dhe për këtë të fajësojnë palën kosovare”, tha Bieber, i cili problemin tek pala kosovare e sheh tek mospajtimet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.
Sipas tij, “Thaçi po i dërgon mesazhe Perëndimit se si ai po bën gjithçka që ta zgjidh problemin, duke u përpjekur të sigurojë përkrahjen që të mbetet në pushtet dhe të mos jetë i akuzuar për disa gjëra që i ka bërë në të kaluarën”.
Bieber vlerëson se krerët e pushtetit në Serbi dhe në Kosovë nuk komunikojnë në mënyrën që nënkupton zgjidhje dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, për dallim nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë.
“Ato kanë bërë përpjekje që të ndryshojnë mënyrën e komunikimit, kurse mesazhi nga Beogradi dhe Prishtina është – ne urrehemi, por do të arrijmë marrëveshje përmes urrejtjes”, ka thënë Bieber.