Bota Qindra mijëra protestojnë në Romë

Qindra mijëra protestojnë në Romë

Nën moton “Një e ardhme për punën” demonstruesit kërkuan investime masive publike dhe private dhe reforma të ambicionuara. Protesta e së shtunës (09.02) ishte më e madhja e këtij lloji qysh prej katër vjetësh.

Për protestat sindikatat kishin organizuar dymbëdhjetë trena të posaçëm dhe 1300 autobusë, anije dhe avionë me kosto të ulët. Në ditën plot Diell dhe në një atmosferë të shpenguar demonstruesit marshuan përmes kryeqytetit të Italisë. Edhe përfaqësues të sipërmarrjeve si dhe anëtarë të nivelit të lartë të partisë social-liberale demokrate (PD) dhe partive të tjera të majta merrnin pjesë në manifestimin e protestës.

Sindikatat i konsiderojnë mjaft të rezervuara planet për investime të qeverisë së përbërë nga lëvizja populiste “Pesë yjet” dhe partia radikale e djathtë Lega. Po ashtu reforma e pensioneve e planifikuar, sipas sindikatave, nuk është e mjaftueshme. Me vendosjen e një page mujore bazë për italianët e varfër përfaqësuesit e punëtorëve konsiderojnë se mund të zbutet lufta kundër varfërisë dhe papunësisë.

“Qeveria duhet ta ndryshojë kursin, ne ndodhemi me një këmbë drejt recesionit”, tha Annamaria Furlan, shefe e sindikatës së dytë të madhe në Itali, CISL.

Ekonomia e Italisë u tkurr në tremujorin e fundit të 2018 për shkak të rënies së eksporteve. Kjo i shton problemet gjithsesi të mëdha që ka qeveria me buxhetin.

Ndërkaq shefat e koaliconit qeverisës në Itali komunikuan ristrukturimin në kryesinë e Bankës së Rezervave dhe të Autoritetit Mbikqyrës CONSOB. Skandalet e fundit në banka janë krijuar, sepse në pozicionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur detyrimit për mbikqyrje, tha Matteo Salvini nga Lega në Vicenza. Një zëdhënëse e Bankës Qendrore nuk pranoi të komentojë.