Shitja e kompanisë Telekom Albania ka sjellë ndryshime të mëdha në strukturën e investimeve të huaja sipas shteteve në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve greke është përgjysmuar në 550 milionë euro, nga afro 1.1 miliardë euro që kishte qenë deri në tremujorin e parë. Paralelisht, vlera e investimeve bullgare është rritur me pothuajse 20 herë dhe ka arritur në 571 milionë euro, nga vetëm 28 milionë euro që kishte qenë në fund të tremujorit të parë. Konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest bleu këtë vit aksionet e operatorit të dytë më të madh të komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri nga grupi grek Cosmote, për 50 milionë euro. Rrjedhimisht, sipas metodologjisë së përdorur nga Banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të kryera nga Telekom Albania në vite, i është transferuar aksionarëve bullgarë. Pas këtij transaksioni, Bullgaria është bërë investitori i gjashtë më i madh në Shqipëri.
Lista e investitorëve të huaj në mesin e këtij viti kryesohej nga Zvicra, për një total prej 1.44 miliardë eurosh. Në pjesën dërrmuese, këto investime i takojnë konsorciumit shumëkombësh TAP, që vepron si shoqëri tregtare e regjistruar në Zvicër. Investitori i dytë më i madh është Holanda, ndërsa i treti Kanadaja. Kompanitë e regjistruara në këtë vend e rritën më tej totalin e investimeve në mbi 1.1 miliardë euro dhe ato kanadeze me pak më shumë se 1 miliard euro.
Në fakt, shpërndarja e investimeve të huaja në statistikat zyrtare nuk përfaqëson realisht vendin e origjinës së kapitalit, por thjesht vendin ku është regjistruar kompania aksionare. Kjo vlen sidomos për pjesën më të madhe të investimeve nga Holanda. Për shembull, Devoll Hydropower është realisht një investim i kompanisë norvegjeze Statkraft. Por, duke qenë se Statkraft e kontrollon kompaninë shqiptare përmes një filiali të regjistruar në Holandë, atëherë në statistika ky rezulton si investim holandez. Teknikisht, edhe kompani të mëdha të rëndësishme si Vodafone Albania, Spitali Amerikan apo Abcom rezultojnë si investime holandeze, ndonëse tërthorazi kontrollohen nga aksionarë nga vende të tjera.
E njëjta gjë vlen për investimet kanadeze, që në pjesën dërrmuese i takojnë kompanisë Bankers Petroleum. Në vitin 2017, Bankers u ble nga grupi kinez Geo-Jade Petroelum. Por, duke qenë se kinezët blenë direkt kompaninë mëmë të regjistruar në Kanada, atëherë investimet e Bankers në statistika vazhdojnë të rezultojnë si kanadeze.
Investitori i katërt më i madh i huaj në mesin e këtij viti ishte Italia, me 755 milionë euro, i ndjekur nga Turqia me 599 milionë euro. Shtetet e tjera me një stok investimesh sipër kufirit të 500 milionë eurove janë Bullgaria, Austria dhe Greqia./ SCAN