Ministria e Shëndetësisë ka informuar në lidhje me personat e plagosur gjatë protestës së opozitës.
Sipas njoftimit zyrtar, 19 persona kanë mbetur të plagosur në protestë, mes tyre 9 policë dhe 2 gazetarë.
“Nëntë punonjës të forcave të rendit, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues kanë marrë në kohë ndihmën mjekësore, fillimisht nga ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare mjekësore dhe më pas janë dërguar për mjekim të mëtejshëm në 3 spitalet universitare të Tiranës.
Pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, aktualisht 19 personat e lënduar gjatë protestës së sotme, kanë lënë spitalin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, njofton ministria.
Protesta e sotme e opozitës u mbyll pas pesë orësh, kaos, dhunë dhe flakë në godinën e qeverisë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se protesta ia arriti qëllimit dhe paralajmëroi se të enjten që vjen në orën 10:00 qytetarët do të dalin në shesh për t’i dhënë fund regjimit të kryeministrit Rama.