Miliarderi Bill Gates mendon se jeta plotësisht e lirë në SHBA mund të fillojë diku nga vjeshta e vitit 2021.
Gjatë një interviste, Gates tha se lufta ndaj Covid-19 do të kërkojë më shumë se një vit, deri kur të zhvillohet dhe të hidhet në treg një vaksinë.
Sipas tij, distanca sociale po ndihmon në uljen e numrit të rasteve me Covid-19 dhe qëllimi i kësaj, është që të arrihet një pikë ku “gjurmimi i kontaktit” mund të realizohet.
Për të kuptuar se si do të duket jeta në SHBA nga gjashtë deri në 12 muaj nga tani, Gates sugjeroi Kinën si një model të mirë.
“Ata po i dërgojnë njerëzit përsëri në punë, por me maska dhe duke iu kontrolluar temperaturat. Ata gjithashtu nuk po bëjnë ngjarje të mëdha sportive dhe kështu ata kanë qenë në gjendje të shmangin një rikthim më të madh”, tha ai.
Një mundësi është që grupimet të lejohen, në varësi të moshës së personave të përfshirë.
“Pra, të kesh një klasë me 30 të rinj që mund të jetë mirë, po rolin e tyre në transmetimin e sëmundjes, do ta kuptojmë brenda muajit tjetër. Pra ndoshta me ta duhet të jemi pak më të kufizuar sesa me një audiencë të moshës së përgjithshme”, tha Gates.
Prapëseprapë, ai theksoi se tubimet më të mëdha publike “mund të mos rifillojnë derisa të bëhet vaksinimi i gjerë i popullatës”.
Për shembull, Suedia nuk është “mbyllur aq shumë”, kështu që përvoja e tyre do të jetë informuese, shpjegoi Gates.
Gates ka qenë në partneritet me Institutin për Vlerësimin e Metrikave Shëndetësore, një qendër globale e kërkimit shëndetësor në Universitetin e Uashingtonit, për të kuptuar më tej se “cilat politika dhe në cilat vende vërtet po funksionojnë”.