Kryetar i ‘Bindja Demokratike’ Astrit Patozi ka hapur sot fushatën kombëtare të anëtarësimeve në parti. Vendimi vjen vetëm pak orë pasi KQZ votoi me 4 vota pro dhe 1 kundër, regjistrimin e BD në zgjedhjet e 30 qershorit. Patozi premton kandidatë në të gjithë vendin, e ndërsa prezantoi gjithashtu edhe sloganin e Partisë së tij, “Voto bindjen tënde”. Që të kandidojë në çdo bashki të vendit, Patozit i duhet që në çdo zonë të mbledhë 1 % të firmave të votuesve të asaj bashkie. Afati është 13 maji për kandidatët për kryebashkiakë.
“Bindja Demokratike” u zyrtarizua sot si parti konkurrente në garën elektorale të 30 qershorit. Vendimi i marrë nga KQZ do të thotë se praktikisht ne jemi në fushatë, pasi zgjedhjet vendore janë pothujase në prag.
Duke falenderuar edhe një herë të gjithë ata që e bënë të mundur finalizimin e këtij projekti politik, që nga firmëtarët, e deri tek mbështetësit e parë të saj, ne angazhohemi solemnisht për një fushatë modeste, të vendosur dhe qytetare, por mbi të gjitha për një rezultat dinjitoz më 30 qershor. Me këtë rast, ne ftojmë çdo qytetar të këtij vendi, që mendon se Shqipëria po qeveriset keq e mos më keq për shkak të një sistemi të kalbur politik për t’iu bashkuar projektit tonë.
“Bindja Demokratike” do të jetë shtëpia e lirisë, porta e hapur për çdo shqiptar që beson tek vlerat dhe tek fuqia e saj. Ndaj ne pa humbur asnjë sekondë kohë shpallim sot fushatën kombëtare të anëtarësimeve në “Bindjen Demokratike”, e cila nuk do të pengojë përgatitjet tona për të shkuar në zgjedhje me kandidatë dhe lista këshilltarësh në të gjitha bashkitë e vendit”, shkruan Patozi.
PD: Bindja Demokratike, opozitë fasadë një patericë e Ramës
Edhe pse nuk ishte i pranishëm në mbledhje, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso akuzon Edi Ramën se krijoi një opozitë fasadë.
“Arsyeja pse Edi Rama vendosi qe te uzurponte KQZ, duke emeruar ne kundërshtim me ligjin 4 anetare nga PS, eshte qe, sa here ka zgjedhje, te shpikë rregullat e lojes sipas qejfit. Sot vendosi te rregjistroje Bindjen si opozite fasade, si patericen e tij ne zgjedhje me synimin per te zbehur mungesen e opozites se vertete. Rama e ka te kote. Populli ka vendosur qe ne daten 30 qeshor nuk ka per te patur zgjedhje!”