Kryesore Bindja Demokratike regjistrohet të martën, Patozi: S’kemi asgjë për të fshehur

Bindja Demokratike regjistrohet të martën, Patozi: S’kemi asgjë për të fshehur

Partia më e re në radhët e opozitës, Bindja Demokratike, duket se do të drejtohet nga ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi.

Ky i fundit mblodhi në orën 19:00 të mbrëmjes në një takim ish-eksponentë të tjerë demokratë, të cilësuar si të pakënaqurit dhe kritikët e Bashës.

Pas mbledhjes 3 orëshe me themeluesit e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ishte fjalëpak për gazetarët: “Faleminderit shumë për këtë vëmendje kaq të madhe. Ju kërkoj ndjesë që nuk jua shuaj dot kërshërinë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur por asgjë për të treguar sot. Nesër do të kemi një komunikim për të gjithë ju post-faktum”.

Bindja Demokratike pritet që të regjistrohet nesër në gjykatën e Tiranës si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Ajo që çudit më shumë është se, kjo parti, e cila do të regjistrohet ditën e martë në gjykatë dhe në KQZ për zgjedhjet e ardhshme lokale, do të vendosë edhe një precedent të padëgjuar më parë. Ajo nuk pritet të ketë një kryetar partie, por një bord drejtues, pa ditur ende përbërjen dhe numrin e tij.

Kjo bëhet që partia e re të mos ketë një drejtues që do të forcojë pozitat e tij në krye të partisë dhe me vendimmarrje të përqëndruar, por për të marrë vendime kolegjiale.

Megjithatë, nga ajo që është mësuar, Rudina Hajdari është distancuar nga kjo nismë e lançuar fillimisht prej saj, madje duke u konsideruar edhe kryetarja e mundshme saj, pasi anëtarët e grupit të ri parlamentar demokratik nuk kishin pranuar fraksionimin e PD-së ku të përfshihej edhe Astrit Patozi.