Kulturë Binjaket shqiptare që flasin gjuhën e shkencës në botë

Binjaket shqiptare që flasin gjuhën e shkencës në botë

 

Nga Entela RESULI

Ishte viti 1999 kur ato së bashku me prindërit e tyre janë larguar në qyteti i Patosit në drejtim Anglisë. Me mbërritjen atje, ishte fiks koha kur motrat Detina dhe Argita Zalli nisën shkollën e mesme dhe në këto momente jeta e tyre mori një tjetër drejtim.

Prindërit e vajzave besuan në jetën më të mirë larg Shqipërisë. Binjaket Zalli sot kanë arritur majat e shkencës botërore. Të dyja, të etura për të ditur se si funksionon mikrobota kanë studiuar mjekësinë molekulare në Universitetin e Sussex-it në Angli për të arritur deri te doktorata në Universitetin e Leicesterit.

Sot, ato janë të dyja kërkuese shkencore post-doktorale, të dyja të specializuara në fushën e mjekësisë molekulare. Argita punon në Universitetin e Londrës, e specializuar në fushën e kërkimeve të imunologjisë. Ndërsa Detina, e fokusuar në kërkimet e kurave mbi kancerin, po punon në tezën e saj post-doktorale në laboratorin prestigjioz të Fakultetit të Mjekësisë në Harvard.

Binjaket identike 28-vjeçare e ndjejnë njëra-tjetrën në çdo çast të ditës edhe pse jetojnë larg, njëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra në kryeqytetin anglez. Edhe kur nuk janë duke komunikuar në Skype dy apo tri herë në ditë, e ndjejnë secila kur motra përtej oqeanit është e lumtur, e stresuar apo ka nevojë për një fjalë të ngrohtë që një motër binjake di mirë si ta falë.

Nuk kanë ndarë bashkë vetëm frikën kur i arratiseshin Shqipërisë problematike, bashkë me familjen mbyllur në një maune që i shpinte drejt Britanisë së Madhe. Nuk kanë ndarë vetëm trishtimin kur i përbuznin në shkollë si emigrante, e as vështirësitë për t’u shkolluar. Bashkë kanë ndarë të njëjtin pasion, të cilin e kanë marrë me doza identike njëlloj si tiparet e tyre; pasioni për shkencën.

Argita punon në Universitetin e Londrës dhe çon punimet e projektit të saj çdo ditë e më përpara. Momentalisht po studion efektin e agonistëve B2 në funksionin e imunitetit. “Sapo hyj në qendrën kërkimore të gjithë më thërrasin: vampirja. Pasi kërkimi im ka nevojë për shumë monstra gjaku”, – rrëfen Argita duke qeshur.

Ndërsa Detina, e fokusuar në kërkimet e kurave mbi kancerin po punon në tezën e saj post-doktorale në laboratorin prestigjioz të Fakultetit të Mjekësisë në Harvard. Ajo është kërkuesja shkencore dhe lektorja më e re e Harvardit dhe nëse dikush e sheh pa përparësen e bardhë e pa syze, me atë buzëqeshjen e çiltër dhe flokët e gjatë, do e ngatërrojë me patjetër me ndonjë studente. “Në fillim kur nisa të jap mësim me studentët e Mjekësisë në Harvard u tregova shumë strikte. Ishin rreth 23-24 vjeç, kishin moshën time dhe nuk doja të më merrnin lehtë, sikur isha shoqja e tyre dhe jo lektorja” – tregon Detina.

Këtë gusht ato erdhën të dyja në Shqipëri ku realizuan një konferencë Shkencore në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Të dyja folën gjerë e gjatë mbi fushat e tyre të kërkimit dhe i inkurajuan të rinjtë e pranishëm me projektin e tyre të fundit “We speak science”, një nismë që tashmë po e zhvillojnë në Amerikë dhe kanë dëshirën e mirë për ta shtrirë në të gjithë botën.

Ne folëm me motrat shkencëtare për të mësuar më shumë rreth këtij projekti që nisi në Shqipëri dhe ndoshta do të përfundojë po këtu, por pasi të këtë bërë xhiron e botës.

Në një komunikim me “Ditën”, Detina na tregon më shumë rreth idesë së tyre që i ka bërë vajzat shqiptare të flasin gjuhën e shkencës. “Projektin “We speak science” (ne flasim shkencë) e nisëm së bashku me Argitën. Qëllimi i tij është të rrisim nivelin dijeve rreth mjekësisë-shkencës. Shumë njerëz nuk dinë shumë gjëra rreth sëmundjeve të ndryshme, dhe ne si mjeke/shkencëtare, do vizitojmë shkolla, apo universitete, apo edhe publikun apo pacientët e spitalit dhe do t’u shpjegojmë më shumë rreth sëmundjeve të ndryshme, si të mbrohemi nga ato, si edhe shkencëtaret (si puna jonë) do t’u flasin studentëve rreth shkencës dhe punës që ajo ka. Do ndajmë eksperiencat tona. Gjithmonë kur ne ta kemi bërë një gjë të tillë, do të nominojmë profesorë të tjerë apo mjekë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë në vendin e tyre, qofshin në Amerikë, Angli, Kosovë apo Prishtinë”- shpjegon Detina.

 

Detina Zalli

Detina Zalli

Detina, çfarë është “We speak science” ?

Ka një qëllim për të cilin ne po e ndërmarrim këtë projekt, ideja është që të rrisim nivelin e njohurive të shkencës dhe mjekësisë në USA, Angli, Shqipëri nëpër kolegje dhe universitete (undergraduate). Studentët do të kenë ide më të qartë se çfarë përfshin puna e një mjeku apo shkencëtari, dhe se çfarë duhet të bëjnë për të arritur këto degë. Do kenë mundësinë të komunikojnë drejtpërdrejtë me profesionistë të kësaj fushe.

Pse është i rëndësishëm për ju ky projekt?

Është i rëndësishëm pasi informon shoqërinë ku jetojmë për sëmundje të ndryshme: Si të mbrohemi nga kanceri dhe nga sëmundje të tjera duke organizuar informacione për publikun. Njerëzit do kenë mundësi të flasin drejtpërdrejt me profesionistë në fusha të ndryshme të mjekësisë apo shkencës.

Cila është sëmundja që do të shpjegoni më shumë?

Së pari synojmë krijimin e një network-u me mjekët apo shkencëtarët e tjerë në botë (diçka që do jetë përfituese për të gjithë); duke u bërë pjesë e projektit, emrat e të gjithë profesorëve, mjekëve apo shkencëtarëve, do të shkruhen në faqen Facebook “We speak science”. Do fillojmë duke nominuar mjekë të fushës të ndryshme. Për shembull në qoftë se çështja e javës janë sëmundje të zemrës, do ftojmë mjekë të njohur në këtë fushë. Do ishte shumë mirë për shqiptarët të merrnin sa më shumë pjesë sepse këto janë gjëra që vlerësohen jashtë vendit.

Keni patur mbështetje për realizimin e këtij projekti?

Ky projekt filloi nga Argita edhe unë, dhe kemi pasur mbështetjen e kolegëve tanë në Harvard apo në UCL (University College London), të cilët kanë dëshirë të marrin pjesë në këtë projekt.

Ju e filluat projektin në Shqipëri?

Po, projekti u nis në Shqipëri në muajin gusht. Për herë të parë në Tiranë organizuam një konferencë me titull “WE SPEAK SCIENCE” ku mjekë të ndryshëm morën pjesë, si edhe studentë të shkencave edhe mjekësisë, i cili doli i suksesshëm. Ishte hera e parë që prezantuam punën tonë në shqip. Për të organizuar këtë konferencë, patëm mbështetjen e Dr. Silva Binos, e cila u tregua e mrekullueshme dhe bashkëpunëtore me ne. Më vonë shkuam edhe në Patos, ku bashkia e këtij qyteti, dhe e qytetit të Fierit organizoi, “PATOS-FIER SPEAKS SCIENCE”, ku ne prezantuam punën në qytetin ku ishim rritur. Shumë studentë të gjimnazit morën pjesë dhe ishte shumë i suksesshëm. Tani po e fillojmë në USA, Angli, duke nominuar mjekë të tjerë anës botës.

 

10561653_354996051323167_5968088755460939094_nNë Birmingham

“Nga të gjithë të intervistuarit, anëtarët e komisionit na i dhanë duart vetëm neve”

Dëshira e të dyjave ishte të bëheshin mjeke, madje pas diplomimit në Universitetin e Sussex-it për mjekësi molekulare, ato kanë punuar disa kohë si mjeke në spital. Por ajo që i grishte ishte fusha e kërkimit shkencor. Argita tregon: “Në fakt, unë e bëra këtë zgjedhje për shkak të Detinës. Ishte ajo që aplikoi në universitet për të dyja. Unë isha në një moment shumë të dëshpëruar. Nuk arritëm të hynim në Universitetin e Mjekësisë në qytetin ku jetonim, për shkak se nuk kishim leje qëndrimi britanike. Por në momentin kur mendoja se kisha humbur, Detina më inkurajoi dhe tha se për një javë do të shkojmë në universitet”. Ashtu ndodhi. Të dyja u pranuan në Universitetin e Sussex-it, përfunduan me rezultate të shkëlqyera Mjekësinë molekulare, konkurruan për doktoraturë; njëra në Birmingham, tjetra në Leicester dhe po njësoj fituan.

“Përsëri Detina ndërhyri. I çoi dokumentet tona për post-doktoraturë në Birmingham. Nga të gjithë të intervistuarit mbaj mend që anëtarët e komisionit na i dhanë duart vetëm neve. Por fitova vetëm unë, megjithëse aplikoi Detina”, qesh Argita kur kujton.

Por Detina kishte një tjetër sfidë me veten; të aplikonte në Harvard. E sfidoi veten dhe i tejkaloi pritshmëritë. U përzgjodh e para si kërkuese post-doktorale.

“E kisha thjesht dhe vetëm sfidë, doja të dija limitet e mia. Kur e fitova, mendova ta refuzoja. Por Argita dhe familja më inkurajuan të vazhdoja”. Sot ajo punon me një prej shkencëtarëve më të njohur në botë, Roland Baron, dhe vijon punën dhe sfidën e saj në kërkimet për kancerin. Por sytë i ka nga Londra, që e viziton shpesh për t’u ritakuar me pjesën tjetër të vetes, binjaken Argita që jeton atje me bashkëshortin dhe prindërit dhe kur nuk janë fizikisht bashkë, flasin në Skype, ndajnë emocionet e zbulimit me njëra-tjetrën, ngjitjen në karrierë, por edhe atë lidhje të padukshme, të pakuptueshme e misterioze për botën, që shkenca nuk i zbërthen dot.