Bota Biseda Trump-Zelensky, Kongresi shqyrton ankesën: Tepër shqetësuese

Biseda Trump-Zelensky, Kongresi shqyrton ankesën: Tepër shqetësuese

Pjesëtarë të Kongresit amerikan panë për herë të parë ankesën e një informatori të inteligjencës kundër Donald Trump lidhur më rastin e Ukrainës.

Jo vetëm demokratët, por edhe përfaqësues të republikanëve e cilësuan atë si shqetësuese. Adam Schiff, kryetari i Komisionit të Inteligjencës, tha: “Pata mundësinë të shoh ankesën e informatorit. Më duket shumë shqetësuese dhe e besueshme. Mendoj se ky individ i guximshëm zbuloi një shkelje tepër serioze”.

Ankesa, përmbajtja e së cilës mbetet ende e klasifikuar, i referohet bisedës telefonike mes Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodimir Zelenski. Ligjvënësit shpresojnë se në një farë pike do të mund të takojnë informatorin sekret, por deri më tani nuk është planifikuar asgjë.

Gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e së mërkurës, Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin se procedurat për shkarkimin ishin një gjueti shtrigash. Ai refuzoi pretendimet se kishte kërcënuar Zelenskin të hetonte ish-zv/presidentin Joe Biden dhe djalin e tij: “Janë demokratët ata që duan të detyrojnë Presidentin e ri të bëjë gjërat që ata duan në formën e një kërcënimi politik. Ata e kanë kërcënuar atë dhe tani më akuzojnë mua, por unë nuk e kam bërë. Nuk kam kërcënuar askënd”.

Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë publikoi transkriptin e bisedës telefonike mes Trump dhe Zelenskit. Ndër të tjera, Presidenti amerikan shprehej: “Ka shumë për të folur për djalin e Biden. Babai i tij ndali hetimet dhe shumë njerëz duan të dinë më shumë për këtë, prandaj do të ishte e mrekullueshme nëse do të bënit diçka bashkë me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte për t’u vlerësuar”.

Zelenski i përgjigjet: “Prokurori i ri do të jetë 100% njeriu im. Ai ose ajo do të shqyrtojë situatën, veçanërisht lidhur me kompaninë që përmendët”.

Skandali shtyu demokratët të kërkojnë nisjen e procedurave të shkarkimit. Sipas Kushtetutës amerikane, një Presidenti mund të shkarkohet për tradhti, mitmarrje apo krime e shkelje të tjera.