Diktatori Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai flasin në këtë takim sekret se si do të vepronin me Kadri Hazbiun.
Si fillim hidhet ideja të shkarkohet si ministër i Mbrojtjes, dilemat pas këtij vendimi. A duhet t’i shikonte Kadri Hazbiun dokumentet për të cilët ai akuzohej? Po në Vlorë, cili do të ishte reagimi?
Lexoni të plotë se si është përgatitur plani për eliminimin Kadri Hazbiut që u dënua si armik i popullit dhe partisë.
Enver Hoxha: E dini pse ju mblodha sot, të vendosim një çikë se ç’do bëjmë me Kadrinë. Do ta zgjatim më punën e tij, apo do ta përfundojmë sa më parë? Nuk e di ç’mendoni ju për këtë çështje, po personalisht mendoj se nuk duhet lënë zvarrë për më tej çështja e tij, se nuk dihet ç’na ngjet. Prandaj çdo gjë duhet ta kemi të qartë.
Ramiz Alia: Kështu është, shumë drejtë e keni menduar, shoku Enver.
Enver Hoxha: Ne do ta bëjmë që do ta bëjmë një herë këtë punë, prandaj s’ka arsye përse ta vonojmë më tej.
Ramiz Alia: Jo, kjo punë duhet bërë medoemos nga ne.
Enver Hoxha: Medoemos që duhet bërë.
Ramiz Alia: Tani është çështja e kohës se kur do ta bëjmë.
Enver Hoxha: Por kur duhet bërë kjo punë? Ç’mendoni ju për kohën?
Ramiz Alia: Ndonjë arsye për të pritur më tej, mua më duket se nuk ka, që të themi, ja ky është motivi i pritjes për më tej të kësaj çështjeje. Çfarë të presim më? Unë mendoj ta bëjmë menjëherë!
Hekuran Isai: As na shton, as na pasuron gjë shtyrja e kësaj çështjeje, as na pakëson gjë.
Enver Hoxha: Përkundrazi, mua më duket se, po ta zgjatim më tej, kjo mund të na dëmtojë, mund të na dobësojë, tani mund të mos shkojmë nga mendimi që Kadriu është i ndërlikuar në këtë veprimtari armiqësore, kësaj nuk i dihet.
Ramiz Alia: Jo, mund të mos i shkojmë atij versioni
Enver Hoxha: Mund të mos shkojmë, po ama dokumentet që kemi gjetur, janë një material shumë serioz, për të cilat ai duhet të shpjegohet mirë me ne.
Ramiz Alia dhe Hekuran Isai: Po, po.
*****
Enver Hoxha: Natyrisht që duhet t’ia japim, që të gjykojë sa më drejt mbi të, pastaj të shikojmë nëse duhet ta shkarkojmë nga detyra si ministër u mbrojtjes dhe nga Byroja Politike dhe në se mund ta emërojmë e shumta si ministër pa portofol. Dhe këtë detyrë, natyrisht, ne mund t’ia besojmë, në qoftë se do të qëndrojë mirë dhe si u tillë të marrë në dorë Inspektimin e Shtetit. Dhe ne do t’ia themi që ketë e bëjmë vetëm për interesin e Partisë, po edhe ti vetë duhet ta ndihmosh Partinë se kjo situatë ekziston, prandaj të tregosh në mënyrë të çiltër çdo gjë e të jesh gjakftohtë. Armiqtë, kur ta shkarkojmë, do të flasin, bile ata po flasin edhe pa u marrë ndonjë masë akoma për të dhe ka arsye për këtë. Por si parti ne do të bënim një gabim të madh që këto arsye të mos ia vëmë në dukje dhe të gjykojmë drejt. Duhet t’i themi Kadriut që ti duhet ta ndihmosh Partinë, si përpara Byrosë politike, edhe atje ku do të vendosesh, por jo vetëm në punë,, po edhe me miqtë, me shokët e të afërmit, se kemi 40 vjet që punojmë, luftojmë e jetojmë këtu, është bërë një historik i tërë dhe të gjithë nga të katër anët interesohen, jo vetëm kuriozët, jo vetëm armiqtë, po kemi edhe hallin e anëtarëve të Partisë, që do të thonë: more, po ç’bëhet këtu? U dënua Mehmet Shehu, u arrestua Feçor Shehu, u shkarkua Kadri Hasbiu. Pastaj dhe jugosllavët u thonë njerëzve të tyre që Enver Hoxha po i spastron me radhë të tërë të vjetrit.
****
Hekuran Isai: Për opinionin, shoku Enver, ajo që keni menduar ju nuk është problem. Ministër pa portofol mirë e ka Kadriu.
Enver Hoxha: Po Vlora…
Hekuran Isai: Nga ana e Kadriut është ndjekur kjo taktikë me kuadrot. Ç’janë pensionistë apo kuadro të Ministrisë së punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes nga Vlora e disa qarqe të tjerë, të tërëve u bën nga një telegram kur kanë ndonjë ngjarje në familje, ose, kur ndonjëri nga këta sëmuret, nuk ka njeri prej këtyre që të mos i shkojë në spital. Deri në prag të vitit të ri ai vetë bën mbledhje në spitalin ushtarak me të sëmurët për t’u uruar festën. Kjo taktikë, të jemi realistë, ka krijuar njëfarë nostalgjie për të, sidomos pas ngjarjeve që kanë ndodhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut e pas vdekjes së shokut Hysni Kapo. Ja edhe ky po ikën, do të thonë disa. Në këtë kuptim them unë për nostalgjinë ky ka krijuar njëfarë afërsie me njerëzit dhe disa do të kenë një farë nostalgjie për të.
Enver Hoxha: Ia kanë vënë në bina Vlorës trime do të thonë njerëz të tillë. Në këtë kuptim situata është e bëhet e rrezikshme. Megjithatë kjo kapërcehet nga partia. Vetëm në qoftë se Kadriu nuk merr masa në këtë drejtim, ne nuk duam të dimë për emrin e tij përpara interesit të Partisë, se marrim masa e fusim dhe në burg.
Hekuran Isai: Nuk diskutohet për këtë, shoku Enver.
Ramiz Alia: Jo, jo, nuk ka asnjë diskutim për këtë.
Enver Hoxha: Patjetër. Ne do të themi që gabimet e tij janë të tilla që këtu ku punon si ministër i Mbrojtjes nuk mund të qëndrojë, natyrisht nuk mund të qëndrojë ca më tepër si anëtar i Byrosë Politike dhe këtë e bëjmë për interesin e Partisë. Kadrinë do ta këshillojmë që t’u bjerë në kokë të gjithë atyre që do t’i thonë, pse u largove, apo pse nuk u largove… U largova t’ju thotë ai dhe ne do të gjejmë motivacionin për këtë. Një variant është të themi se ai u shkarkua si ministër i mbrojtjes popullore për arsye shëndetësore dhe do të caktohet në një tjetër detyrë.
******
Hekuran Isai: Ju mund t’ia jepni dy orë më parë materialin Kadriut që t’i lexojë çështjet e të mos na thotë se nuk i ka lexuar fare ose të justifikohet jo nuk e mbaj mend etj.
Enver Hoxha: T’ia japim më parë Kadiut?
Hekuran Isai: T’ia jepni vetë ju, kur të vije këtu që t’i lexojë, shoku Enver.
Enver Hoxha: Unë them që të mos i lexojë fare ai.
Hekuran Isai: E po kush e di mund të thotë se nuk i mbaj mend etj.
Enver Hoxha: Jo, jo unë mendon të mos i lexojë më parë.
Ramiz Alia: Sikur do t’i kërkojmë shpjegime ne për rastet konkrete. Ne do t’i kërkojmë atij shpjegime për problemin në tërësi, jo për atë konkretisht.
Hekuran Isai: Për këto dy materiale, se janë dokumente ato.
Enver Hoxha: Dokumente janë, po unë mendoj që ti bëjmë njëherë atij pyetje, ti themi çfarë gabimesh kanë ngjarë në Ministrinë e Punëve të brendshme, lëshimet që janë bërë etj.
Hekuran Isai: Dmth pa i folur akoma gjë konkretisht për këto dokumente.
Enver Hoxha: Po, ashtu mendoj unë, pa i folur më përpara për të. Ai do flasë në përgjithësi se kemi bërë këto gabime, të meta ka pasur në ministri, do të thotë dhe për këto unë bëra autokritikën që jua solla, po vetë ju më thatë që nuk ishte nevoja. Po mirë, do t’i themi ne, pa na folë një çikë konkretisht tani, se ajo që po na thua është e përgjithshme. Ti, i ke parë letrat që vinë, ta pyesim ne? Ato janë atje, në dosje. Edhe ty të ka ardhur një e tillë. Këto janë materiale të armikut dhe kjo është e natyrshme. Ti ke qenë i shqetësuar për këtë, por edhe ne kemi qenë gjithashtu të shqetësuar, por këto materiale kanë dalë me siguri nga kuadro që kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që i dinë mirë të gjitha ato që kanë ndodhur atje. Ata nuk e ndihmojnë drejtpërdrejt Partinë, megjithatë, në rrugën që kanë zgjedhur, japin disa sinjale. Tani ti ke qëndruar e punuar kaq vjet në këtë dikaster dhe ne të kemi udhëzuar si të veprojë konkretisht. Kështu të kam folur dhe unë, të kam dhënë këtë apo atë porosi, prandaj duhet të jesh i hapët dhe të na flasësh pa droje, pse në rast se mund të ketë njeri nga kuadrot e Ministrisë së punëve të brendshme që mund ta ndihmojë më shumë Partinë në këtë situatë, je vetëm ti, se ke punuar atje për një kohë shumë të gjatë.
***
Hekuran Isai: Edhe Thoma Dinën e keni arrestuar.
Enver Hoxha: As Thoma Dina nuk duhet të vijë në mbledhje. Ne duhet të marrim një vendim në mbledhjen e Byrosë Politike që e përjashtojmë këtë nga Komiteti Qendror dhe nga Partia dhe këtë masë ne ia komunikojmë pleniumit, kur ta mbledhim. Duhet të marrim vetë përgjegjësi për këto veprime se janë të besuara dhe urgjente.
Ramiz Alia: Kemi bërë dorazi disa veprime ne dhe herë të tjera që janë të kësaj natyre.
Enver Hoxha: I kemi zënë në flagrancë. Ikën ata. Tani duhet të kemi të përfunduar edhe çështjen e Kadriut ne. Përpara mbledhjes së pleniumit të KQ ne do të raportojmë se Byroja Politike mori në shqyrtim çështjen e Kadri Hasbiut, e analizoi këtë dhe konstatoi tek ai mungesë vigjilence, kur ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si zëvendësministër e pastaj si ministër. Ata janë lejuar armiqtë të vepronin lirshëm dhe shoku Kadri u ka bërë lëshime etj..etj..Këtu është vetë shoku Kadri, le të flasë ose të këndojë autokritikën. Byroja Politike, të thuhet, pasi e diskutoi çështjen e tij, doli me propozimin që të shkarkohet si anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes dhe të emërohet ministër pa portofol. Në Plenium të këndojmë edhe materialin e Mehmetit.
Ramiz Alia: Atë që keni përgatitur ju.
Enver Hoxha: Mendoj të këndojmë atë më parë, pastaj të vijë kjo e Kadriut.
Hekuran Isai: Unë mendoj të përfundojmë me çështjen e Kadriut më përpara, të merrni ju fjalën për Mehmetin, pastaj të dëgjojmë deponimet e inçizuara të Fiqret Shehut.
Enver Hoxha: Po, mirë, edhe ashtu e bëjmë.
Ramiz Alia: Ta gjykojmë, mund ta bëhet edhe ashtu.
Enver Hoxha: Çështja është se do ta shtyjmë edhe ca Pleniumin për problemin e transportit.
Ramiz Alia: Materiali për këtë problem gati është, shoku Enver. /Opinion.al